Josh McFolley, ish-lojtari amerikan që nisi karrierën e tij profesionale me skuadrën e Rahovecit në Kosovë, është dënuar rëndë nga FIBA për përfshirje në manipulime të rezultateve.
McFolley, i cili shkëlqeu në sezonin 2019/2020 me Rahovecin dhe në Ligën Ballkanike si një prej lojtarëve më të spikatur, është ndaluar nga çdo aktivitet basketbolli deri në vitin 2034, transmeton AutoPortali.
Ai ishte pjesë e ekipit që tashmë nuk ekziston më.
Pas aventurës në Kosovë, ai vazhdoi karrierën në disa vende evropiane si Sllovakia, Finlanda dhe së fundmi në Britaninë e Madhe, vendi ku edhe është regjistruar shkelja që çoi në ndëshkimin e tij.
Sipas vendimit të FIBA-s, manipulimet dyshohet se kanë ndodhur gjatë sezonit 2022/2023 në kampionatin britanik, te skuadra Surrey Scorchers.
Përveç McFolleyt, edhe katër bashkëlojtarë të tij nga po e njëjta skuadër janë dënuar. Arsyet për ndëshkimin përfshijnë si pjesëmarrje në kurdisje, ashtu edhe dështim për të raportuar informacionin në kohë.
Ky rast është një ndër më të rëndat e viteve të fundit në basketbollin evropian dhe shërben si paralajmërim për tolerancë zero ndaj manipulimeve në sport.




