Gjatë një pjese të madhe të sezonit 2025 të Formula 1, Oscar Piastri u shfaq si piloti më i fortë i kampionatit. Madje, gjithçka tregonte se australiani ishte kandidati kryesor për t’i marrë fronin Max Verstappenit të pangopur për tituj. Një statistikë e veçantë e pasqyron qartë dominimin e tij. Piastri, kryesoi renditjen e Kampionatit Botëror plot 15 herë gjatë sezonit të kaluar.
Ky numër i siguroi atij një rekord që me siguri nuk i sjell kënaqësi, por më tepër frustrim: ai u bë piloti me më shumë kryesime në histori pa fituar titullin botëror. Me këtë shifër, australiani tejkaloi rekordin e Carlos Reuteman, i cili kishte kryesuar 13 herë pa u shpallur kampion. Ekziston edhe një tjetër tregues që nënvizon performancën e lartë të Piastrit, të cilit i mungoi vetëm finalizimi. Piloti 24-vjeçar regjistroi 16 podiume, më shumë se 15 podiumet e Valteri Bottas (Mercedes) në vitin 2019), edhe ai një sezon pa titull, pavarësisht konsistencës në majat e renditjes.
Çfarë ndodhi me Piastrin, të cilit në fazën vendimtare të kampionatit, i mungoi shpejtësia krahasuar me Norrisin dhe Verstappenin? Në pamje të parë, duket se bëhet fjalë për një kombinim faktorësh. Megjithatë, nuk munguan zërat kritikë që sugjeruan se McLaren zgjodhi të mbështeste Lando Norrisin. Këtë teori nuk e ndajnë figura të tjera të botës së Formulës 1, Jacques Villeneuve, i njohur për deklaratat e tij të drejtpërdrejta.

Kampioni i botës i vitit 1997 është i bindur se pretendimet për favorizim janë produkt i imagjinatës së kritikëve të McLarenit. “Dikush mund të thotë se ekipi ‘papaya’ nuk e ndihmoi Piastrin, por kjo nuk është e vërteta e asaj që ndodhi. McLaren është një ekip i madh i Formulës 1. Ata nuk e bënë makinën e Piastrit më të ngadaltë dhe nuk vepruan aspak në atë drejtim. Në fund të fundit, synimi i tyre ishte të shpalleshin kampionë bote me njërin nga dy pilotët. Piastri është i ri, premtues dhe do të kishte një imazh të jashtëzakonshëm nëse fiton titullin. Norris, nga ana tjetër, ka kohë që është pjesë e ekipit dhe ka ndërtuar një marrëdhënie të fortë me të. Pra, cilido prej tyre do të kishte qenë një kampion i denjë. Me kalimin e kohës, është e mundur që vetë Piastri të nisë ta besojë idenë e një bojkoti, por kjo është një teori krejtësisht e pabazë”, deklaroi ish-piloti kanadez, fitues i 11 garave në Formula 1.



