Dy herë kampioni i botës në Formula 1, Fernando Alonso, vazhdon të kritikojë bolidët modernë, duke theksuar se përparimi teknologjik po e zbeh rolin e pilotit.
Sipas tij, makinat e reja për vitin 2026, me aerodinamikë aktive dhe varësi të madhe nga energjia elektrike, po i bëjnë garat më të lehta dhe më të parashikueshme. Alonso beson se Formula 1 po humbet thelbin, pasi diferenca mes pilotëve po zvogëlohet.
“Nëse kushdo mund të ulet në një bolid dhe të jetë i shpejtë menjëherë, kemi një problem serioz”, tha ai.
Ai shtoi se vozitja është bërë më shumë strategjike dhe më pak sfiduese fizikisht, madje duke e krahasuar me lojërat “PlayStation”.
Alonso kërkon rikthimin e një Formula 1 më “të pastër”, ku aftësia e pilotit bën diferencën, duke paralajmëruar se nëse makinat nuk mbeten sfidë, sporti rrezikon të humbasë madhështinë e tij.



