Ish-piloti i Formula 1 bën thirrje për një rikthim të madh
I

Ish-piloti i Formula 1 bën thirrje për një rikthim të madh

Ish-piloti i Formula 1, Juan Pablo Montoya, beson se gjiganti gjerman Audi duhet të angazhojë Christian Horner si drejtues të ekipit të tij në F1.

Horner është pa angazhim që kur u shkarkua nga Red Bull Racing pas garës për Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe sezonin e kaluar, duke i dhënë fund një periudhe mbi 20-vjeçare të mbushur me sukses, ku fitoi tetë tituj për pilotë dhe shtatë për konstruktorë.

Megjithëse është lidhur me disa ekipe, përfshirë Alpine, britaniku ende nuk ka gjetur një rol të ri.

Situata te Audi është bërë më e ndërlikuar pas largimit të Jonathan Wheatley, i cili mund të kalojë te Aston Martin. Aktualisht, drejtimin e përkohshëm e ka marrë Mattia Binotto, por Montoya mendon se kjo nuk është zgjidhje afatgjatë.

“Besoj se Binotto nuk dëshiron të jetë plotësisht i përfshirë. Ata po kërkojnë dikë që ta mbushë atë boshllëk”, tha ai.

Montoya thekson se Horner është kandidati ideal falë përvojës dhe rezultateve: “Mund ta pëlqeni ose jo, por ai sjell rezultate”.

Ndërkohë, më herët ishte raportuar se Horner kishte kontaktuar disa pronarë ekipesh për një rikthim në Formula 1, por pa sukses.

TË FUNDIT