Një pajisje e re për kontrollin e trafikut, e quajtur “sorpassometro”, ka hyrë në fazën operative një vit pas miratimit nga autoritetet përkatëse dhe shoferëve u kanosen gjobat e larta për parakalime të parregullta.
Ky sistem, me emrin zyrtar SV3, i bashkohet pajisjeve ekzistuese të policisë lokale si radarët dhe sistemet për matjen e shpejtësisë mesatare, por me një ndryshim të rëndësishëm – është i specializuar për zbulimin e parakalimeve në segmente ku kjo është e ndaluar, shkruan corriere.it.
Sistemi funksionon nëpërmjet një kombinimi të sensorëve të vendosur në rrugë dhe kamerave të sigurisë. Kur sensorët regjistrojnë një shkelje, kamerat e filmojnë mjetin dhe të dhënat dërgohen automatikisht te autoritetet përkatëse, të cilat më pas lëshojnë gjobën në emër të pronarit të automjetit.
Është e rëndësishme të theksohet se “sorpassometro” nuk instalohet rastësisht. Ai mund të përdoret vetëm në zona me nivel të lartë aksidentesh, dhe vetëm pas miratimit nga prefekti kompetent. Qëllimi është parandalimi i aksidenteve në vende të rrezikshme si kthesat me pamje të kufizuar ose segmentet me dukshmëri të ulët, ku parakalimi i paligjshëm mund të ketë pasoja fatale.
Një nga sistemet e para të këtij lloji tashmë është në funksion në rajonin Cosenza në Itali, në rrugën shtetërore SS18, e njohur për manovra të rrezikshme. Pajisja, që është aktive që nga fillimi i gushtit, regjistron një video prej 15 sekondash si dëshmi e pamohueshme e shkeljes.
Shoferët që mendojnë se gjoba është e padrejtë, për shembull për shkak të sinjalistikës së papërshtatshme apo dyshimeve për pajisje të pa-autorizuara, kanë të drejtë të verifikojnë të gjitha detajet. Afati për të paraqitur ankesë te Gjykata për Kundërvajtje është 30 ditë, ndërsa te Prefekti 60 ditë.
Gjobat për parakalimet e paligjshme të regjistruara nga ky sistem janë shumë të larta. Në zonat e banuara, variojnë nga 42 deri në 173 euro, me heqjen e 2 pikëve nga patenta. Në rrugët interurbane, gjoba mund të arrijë 345 euro dhe 3 pikë penalizuese.
Në rastet më të rënda, si parakalimi para një kthese ose në një mbikalim, gjoba shkon në 666 euro, me heqje të 10 pikëve dhe pezullim të patentës nga një deri në tre muaj. Nëse konstatohet edhe shkelje për drejtim të kundërt në rrugë, shuma totale e gjobës mund të kalojë 1300 euro.



