Italia shkëlqen, Franca mungon, qytetet më të dashura nga udhëtarët për vitin 2025
I

Italia shkëlqen, Franca mungon, qytetet më të dashura nga udhëtarët për vitin 2025

Italia kryeson Evropën me tre qytete në listën e 25 më të mirëve, ndërsa Franca, vendi më i vizituar në botë, nuk renditet askund.

Florenca është shpallur qyteti më i mirë europian për vitin 2025 sipas çmimeve “World’s Best Awards” të revistës amerikane Travel + Leisure, një anketë globale me votat e rreth 180 mijë lexuesve.

Sipas Euronews, Toskana zuri vendin e 11-të në renditjen botërore, duke u renditur më lart se çdo qytet tjetër në Evropë.

Në krye të listës globale u renditën qytetet San Miguel de Allende dhe Oaxaca në Meksikë, dhe Tokio në Japoni. Qytetet latino-amerikane dhe aziatike dominuan dhjetëshen e parë, por Evropa ruajti praninë me disa destinacione që tërheqin për kulturën, gastronominë dhe historinë e pasur.

  • Italia dominoi me Florencën, Romën dhe Sienën
  • Italia ishte i vetmi vend europian me tre qytete në 25-shen më të mirë:
  • Florenca (vendi i 11-të),
  • Roma (18)
  • dhe Siena (23).

Të tria u vlerësuan për bukurinë e tyre të përjetshme, kuzhinën tradicionale dhe trashëgiminë e pasur që nga katedralet e lashta dhe trattoritë familjare, deri te rrugicat me kalldrëm dhe sheshet plot jetë.

Florenca vijon të mahnisë me shkallën intime, artin e nivelit botëror dhe atmosferën mesjetare, me Uffizi-n, Domën dhe restorantet rustike që krijojnë një përvojë të pakrahasueshme.

Roma, nga ana tjetër, ofron një përzierje unike të historisë së gjallë dhe jetës moderne. Lexuesit e vlerësuan lart për përmasën e saj historike, ndërsa jubileu katolik që po mbahet këtë vit pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, i ka dhënë edhe më shumë rëndësi.

Siena, qyteti mesjetar në zemër të Toskanës, mbetet një magnet për turistët me Piazza del Campo-n e famshme, garën tradicionale të kuajve Palio dhe restorantet që i rezistojnë kohës.

  • Spanja dhe Turqia ruajnë peshën
  • Spanja gjithashtu pati dy përfaqësues të fortë:
  • Sevilja (12)
  • dhe Granada (13), të dyja të njohura për historinë, atmosferën autentike dhe qytetet e vjetra të mbushura me jetë.

Stambolli zuri vendin e 14-të, i vlerësuar për kuzhinën e pasur, historinë dhe pozicionin unik mes dy kontinenteve.

Franca jashtë loje

Pavarësisht se është vendi më i vizituar në botë me mbi 100 milionë turistë në vit, Franca nuk renditet fare në listën e këtij viti.

Kjo mund të reflektojë një ndryshim të shijeve, ku udhëtarët kryesisht amerikanë po i drejtohen qyteteve më të vogla, më të qeta dhe më të lira, larg destinacioneve të mëdha si Parisi, ku mbingarkesa turistike është kthyer në problem.

Porto, qyteti portugez që zë vendin e 24-të, ilustron këtë tendencë drejt përvojave më autentike dhe të menaxhueshme. /AutoPortali

TË FUNDIT