Rindërtimi është një fjalë që është shoqëruar shumë herë me Ferrarin, me tifozët që ëndërrojnë një rikthim në sukses pas një pritjeje gati 20-vjeçare. Seria e fundit fituese e “kokëkuqes“ filloi në vitin 1999, viti i gjashtë i Jean Todt në krye dhe sezoni i katërt i Michael Schumacher në Maranello: një kampionat botëror për konstruktorë, që i dha fund një thatësire prej 16 sezonesh për Ferrarin.
Tullë pas tulle, Todt rindërtoi një ekip në rrëmujë dhe i dha jetë të re një mjedisi të dëshpëruar.
Viti vendimtar ishte viti 1996, kur ai e solli kampionin e atëhershëm Michael Schumacher (që kishte fituar 2 tituj kampionë bote), falë një marrëveshjeje shumë të shpejtë: të dy nënshkruan kontratën brenda një dite të vetme.
“Brenda një ekipi, inxhinierët e shasisë dhe motorit shpesh fajësojnë njëri-tjetrin dhe përfundojnë duke thënë se nuk kemi pilotë. Kështu që u sigurova që askush të mos thoshte se na mungonte një pilot. Michael ishte më i miri, e diskutuam me të në mesin e vitit 1995 dhe më pas kaluam një ditë në Montekarlo me avokatin tonë Henri Peter dhe menaxherin e tij Willi Weber. Pas një dite, nënshkruam kontratën“, tha francezi.

“Mendoj se ai mendonte se pilotimi i një Ferrari do të ishte diçka ndryshe. Atij i pëlqente një sfidë”, shtoi Todt, që 12 muaj më vonë arriti dy marrëveshje të tjera transferimi, me Ross Braën dhe Rory Byrne. “Michael ishte shumë kurioz dhe shumë profesional. Ai nuk donte ta lidhte veten me Ferrari pa garanci“, deklaori Jean Todt.
“Kështu, unë kontaktova njëkohësisht Ross për pozicionin e drejtorit teknik dhe Rory, për t’i ofruar atij rolin e projektuesit kryesor. Të dy kishin punuar me Michael në Benetton. Braën dhe Byrne nuk e dinin që i kisha kontaktuar të dy, por Michael, sigurisht e dinte këtë. Dhe kështu, pak nga pak, e rindërtuam ekipin“, tha Todt.



