Pas një mungese gati njëvjeçare, Jeep ka zbuluar pamjet e para të gjeneratës së re të Cherokee. Ky është njoftimi i dytë brenda më pak se një muaji për këtë model, i cili rikthehet në portofolin e markës pas përfundimit të prodhimit të versionit të pestë në vitin 2023.
Megjithëse Jeep ende nuk ka publikuar të dhëna teknike apo specifika të tjera të detajuara, imazhet e reja na japin një pamje të plotë të pjesës së pasme dhe profilit anësor të modelit të ri, transmeton AutoPortali.
Një video promovuese e publikuar nga Jeep shfaq evolucionin vizual të Cherokee-s gjatë pesë gjeneratave të mëparshme, për të përfunduar me transformimin në këtë version të ri.
Dizajni i ri tregon një makinë më të gjatë dhe më të lartë se paraardhësja, me dimensione të zgjeruara sidomos në pjesën e përparme dhe të pasme.
Ndër detajet vizuale bien në sy dritat e përparme të formës “U”, që zëvendësojnë dizajnin e mëparshëm më të rrumbullakët, si dhe grila karakteristike me shtatë shirita, e cila tani është më e gjerë dhe më e shkurtër.
Cherokee i ri pritet të ndërtohet mbi platformën STLA Large të grupit Stellantis, e cila përdoret edhe për modelet si Wagoneer S elektrik dhe Dodge Charger i ri. Kjo platformë bazohet në strukturën unibody dhe jo në atë tradicionale “body-on-frame”, çka e bën modelin më shumë një crossover sesa një SUV të mirëfilltë.
Sipas Autoweek, në linjën e Jeep-it, modeli i ri do të pozicionohet mes Compass dhe Grand Cherokee dhe me shumë gjasë do të ofrohet me motor hibrid.



