Kalaja e Rozafës dhe ajo e Lëkurësit, në ofertë për bizneset
K

Kalaja e Rozafës dhe ajo e Lëkurësit, në ofertë për bizneset

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në Shqipëri ka shpallur hapjen e një procedure konkurrimi publik për dhënien në përdorim të hapësirave të shërbimit në dy monumente kulture të kategorisë së parë: Kalanë e Rozafës në Shkodër dhe Kalanë e Lëkurësit në Sarandë.

Sipas njoftimit për media, kjo nismë synon rijetësimin e këtyre pasurive kulturore përmes aktivizimit të tyre ekonomik dhe shoqëror, duke respektuar rëndësinë historike dhe arkitektonike që ato mbartin.

Të gjitha subjektet e interesuara janë të ftuara të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar pranë protokollit të Ministrisë, brenda datës 21 gusht 2025.

Informacioni mbi kriteret e pjesëmarrjes dhe dokumentacionin e nevojshëm është i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë.

Ministria thekson se kjo procedurë do të zhvillohet në përputhje me ligjin për trashëgiminë kulturore dhe synon të ruajë dhe promovojë vlerat autentike të monumenteve në fjalë.

Njoftimi i Ministrisë ka ngjallur reagim të menjëhershëm nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, i cili e ka quajtur këtë proces “një shaka” dhe ka vënë në pikëpyetje qëllimin real të përdorimit të Kalasë së Lëkurësit.

“A është kjo një picerí apo trashëgimi kulturore”, pyet forumi në deklaratën publike.

Sipas këtij forumi, Kalaja e Lëkurësit, e dhënë me qira që në kohën kur Edi Rama ishte ministër kulture, ishte parashikuar të shndërrohej në një qendër kulturore në shërbim të zonës, por sot është kthyer në një simbol të degradimit.

“Pas më shumë se 25 vitesh, ajo është shndërruar në një kompleks restorantesh dhe kafenesash, ku vlera kulturore mungon pothuajse tërësisht”, thuhet në reagim.

Forumi kujton gjithashtu se një procedurë e ngjashme ishte propozuar në vitin 2013 nga qeveria Berisha, duke shkaktuar debat të madh publik.

Asokohe, Partia Socialiste, ende në opozitë ishte shprehur kundër dhënies me qira të monumenteve dhe, sapo mori pushtetin, anuloi disa kontrata të tilla, duke çuar përplasjen deri në gjykata.

Ndërkohë, shqetësimi i Forumit shtrihet edhe tek Kalaja e Rozafës, një nga monumentet më të rëndësishme të vendit, që mbart jo vetëm historinë e Shkodrës, por edhe legjendën e sakrificës dhe besës.

“Rrezikohet të zbehet nën hijen e komercializimit”, thekson forumi, duke bërë thirrje për më shumë transparencë dhe kujdes ndaj trashëgimisë kombëtare./AutoPortali

TË FUNDIT