Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela nisi sot turin e takimeve me krerët e bashkive të vendit, për të orientuar dhe organizuar së bashku me ta, Kalendarin e Eventeve 2025.
Në bisedën e zhvilluar me kryetaren e bashkisë, Emiriana Sako, Drejtoresha e AKT Çela paraqiti një analizë të eventeve turistike gjatë vitit 2024, si dhe orientimin sipas kategorisë, për këtë vit turistik.
Sugjerimet kanë të bëjnë kryesisht me përmbajtjen dhe me shtrirjen gjeografike të eventeve.
Nga analiza e bërë rezultoi nevoja e zhvillimit të më shumë eventeve për të rinjtë dhe fëmijët, si dhe organizimi i tyre jo vetëm brenda qytetit, por në destinacionet me më shumë fluks turistik, bregdetar dhe kulturor.
Sako e falënderoi drejtuesen e Agjencisë Kombëtare të Turizmit për analizën e hollësishme, duke e cilësuar atë të domosdoshme për orientimin e eventeve për 2025.
Me 140 evente, bashkia e Durrësit renditet në top pesë bashkitë me më shumë aktiviteteve në vitin 2024.
Çela u prit në takim edhe nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, i cili tha se “analiza e Agjencisë Kombëtare të Turizmit mbi eventet e prodhuara nga Bashkia Vlorë në vitin 2024, është e domosdoshme për përmirësimin dhe motivimin për punën tonë”.



