Kampionati Botëror shumë afër, FIFA në ethe për shkak të zhvillimeve të fundit në botë
K

Kampionati Botëror shumë afër, FIFA në ethe për shkak të zhvillimeve të fundit në botë

Numërimi mbrapsht 100-ditor për Kupën e Botës 2026 ka nisur mes shqetësimeve serioze politike dhe të sigurisë në tre vendet pritëse: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika.

Turneu, që pritet të jetë më i madhi në histori me 48 ekipe pjesëmarrëse dhe 104 ndeshje në total, do të nisë më 11 qershor në Estadio Azteca dhe do të përmbyllet më 19 korrik në MetLife Stadium pranë New Yourk.

FIFA parashikon të ardhura rekord prej 11 miliardë dollarësh nga ky edicion historik, duke reflektuar zgjerimin e formatit dhe interesimin global për kompeticionin.

Megjithatë, organizata është përballur me kritika të shumta lidhur me çmimet e larta të biletave, çka ka nxitur debat mes tifozëve dhe opinionit publik.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka këmbëngulur se kërkesa për bileta është jashtëzakonisht e lartë dhe se interesi për turneun tejkalon pritshmëritë.

Në anën tjetër, zhvillimet politike në nivel global dhe veçanërisht në SHBA po hedhin hije mbi organizimin e këtij eventi madhor.

Tensionet ndërkombëtare, masat e ashpra të emigracionit të administratës së Donald Trump si dhe rastet e fundit të dhunës në Meksikë kanë ngritur pikëpyetje serioze lidhur me sigurinë dhe lirinë e udhëtimit për tifozët nga e gjithë bota.

Çështjet e vizave, kontrollet kufitare dhe stabiliteti rajonal mbeten tema të ndjeshme në prag të turneut.

Në aspektin sportiv, vëmendja kryesore pritet të përqendrohet te Argjentina dhe kapiteni i saj, Lionel Messi, për të cilin kjo Kupë e Botës pritet të jetë e fundit në karrierën e tij të jashtëzakonshme. Kampionët në fuqi do të synojnë të mbrojnë titullin, ndërsa pretendentë të fortë konsiderohen edhe Franca, Spanja dhe Anglia.

Ndërkohë, disa përfaqësuese do të debutojnë për herë të parë në këtë format të ri të zgjeruar, duke e bërë edicionin e vitit 2026 një nga më të shumëpriturit dhe më sfiduesit në historinë e futbollit botëror./ AutoPortali

TË FUNDIT