Kampioni i pesëfishtë, pas pesë vitesh, kthehet te fitorja
K

Kampioni i pesëfishtë, pas pesë vitesh, kthehet te fitorja

Një thënie që përdoret shpesh në popillin tonë, që thotë: “ia ke nxjerr yndyrën”, më së miri vlen për Blerand Hasanajn.
Blerandi njihet si garues që ia “nxjerr yndyrën dhe shpirtin” veturës së tij të garave dhe kështu ishte edhe në këtë fundjavë në Zym.

Ai triumfoi në garën e pestë të disiplinës malore për këtë vit, pasi me veturën e tij Audi S3 Quatro, shtegun prej 2.8 kilometrash e kaloi për 01:34.430 dhe 01:39.239 (koha e përgjithshme 03:13.669 minuta).

Në këtë mënyrë, kampioni i pesëfishtë i Kosovës, pas pesë vitesh është kthyer te fitorja në plasmanin e përgjithshëm, ndërsa ka vendosur rekord të shtegut për Klasën PF2.

“Jam i kënaqur me rezultatin e arritur dhe faktin që pas pesë vitesh jam kthyer te fitorja. Për një vit e gjysmë, bashkë me shokët dhe sponsorët e mi, të cilët i falënderoj shumë, kemi punuar për përgatitjen e veturës dhe rezultat i asaj pune është fitorja e sotme dhe rekordi i shtegut në Klasën PF2”, ka thënë Hasanaj pas fitores.

Në pozitën e dytë u rendit Belkim Fazliu me Renault Megane RS3, i cili në krahasim me fituesin pati vonesë prej 15.883 sekonda (01:44.086 dhe 01:45.466 minuta).

Pozita e tretë në Zym i takoi Burim Asllanit me Volvo 850, i cili në cak arriti për 01:48.673 dhe 01:43.572 minuta.

Gjithsesi edhe garuesit tjerë e dhanë maksimunin, ndërsa për fat të keq, katër prej tyre, nuk e përfunduan garën për shkak të problemeve me veturat e tyre.

Në konkurrencën ekipore, në tri pozitat e para u renditën: AK Ferizaj, Prizreni D&G dhe Prishtina Racing Team.

Rezultatet komplete mund t’i shihni në linkun e mëposhtëm:

https://kstiming.com/

TË FUNDIT