Reshjet e dendura të borës shkaktuan probleme të mëdha për ekipet zyrtare të rallisë, të cilat aktualisht po testojnë për Rallye Monte Carlo 2026 në jug të Francës.
Ekipi zyrtar Hyundai u detyrua të ndërpresë testimet që po zhvillonte Thierry Neuville në kuadër të përgatitjeve për rallinë hapëse të sezonit 2026, Rallye Monte Carlo (22–25 janar). Neuville kreu disa xhiro në borë të thellë, derisa kushtet ekstreme i bënë të dhënat e testimit të papërdorshme. Hyundai angazhoi edhe traktorë dhe mjete për pastrimin e borës, por as kjo nuk ndihmoi dhe testimet u ndërprenë.
“Dikush mund të mendonte se po testonim në Suedi ose Finlandë dhe po përgatiteshim për Rally Sweden, por nuk ishte kështu. Sot kishim kushte të vërteta dimërore. Këto kushte nuk janë optimale për ne dhe nuk janë ato që kërkonim. Është pak e besueshme që do të kemi kushte të tilla gjatë rallisë”, deklaroi Thierry Neuville.
Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) po shqyrton mundësinë që Neuville të marrë një afat shtesë për testim, i cili me shumë gjasë mund të jetë të dielën.



