Skuadra e KB Prishtinës ka bërë një goditje të rëndësishme në merkato duke zyrtarizuar afrimin e basketbollistit amerikan Adrio Bailey.
Lajmi u konfirmua të premten nga vetë klubi përmes një njoftimi zyrtar, duke e konsideruar këtë transferim si një hap të madh drejt përforcimit të ekipit për sfidat e ardhshme në Superligën e Kosovës, transmeton AutoPortali.
Bailey vjen nga një përvojë e fundit me ekipin Indios de San Francisco në Republikën Dominikane, ku shfaqi paraqitje të qëndrueshme.
Në sezonin e kaluar, ai regjistroi një mesatare prej 11.5 pikësh, 5.6 kërcimesh dhe 2.5 asistimesh për ndeshje statistika që tregojnë qartazi ndikimin e tij në lojë në të dy anët e fushës.
Përveç Dominikanës, 27-vjeçari ka një karrierë ndërkombëtare mjaft të pasur, duke luajtur në liga të ndryshme në Australi, Republikën Çeke, Hungari, Slloveni, si dhe në vendlindjen e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo përvojë e gjerë pritet t’i sjellë KB Prishtinës stabilitet, përvojë dhe cilësi në zonën e brendshme.
Për KB Prishtinën, afrimi i Bailey shihet si një sinjal i qartë i ambicieve të klubit për sezonin e ri, teksa kërkohet rikthimi në majat e basketbollit kosovar dhe performanca dinjitoze në garat ndërkombëtare. /AutoPortali


 
                                    

