Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, ka kërkuar përgjegjësi nga ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, për një segment të autostradës “Ibrahim Rugova”, mes Prizrenit dhe Suharekës, ku lëvizja është e kufizuar për shkak të rrëshqitjeve të vazhdueshme të dheut.
“Tash e një kohë të gjatë është evidentuar rrëshqitje e vazhdueshme e dheut, duke rrezikuar aksidente, dhe janë raportuar raste me pasoja fatale. Kjo e bën edhe më urgjente nevojën për ndërhyrje institucionale. Pse nuk është ndërmarrë një ndërhyrje e plotë dhe a ekziston një plan konkret për rehabilitimin e kësaj pjese?” tha Gashi.
Nga ana tjetër, ministri Basha deklaroi se situata është shqetësuese si për kostot ashtu edhe për rrezikun për qytetarët.
Ai shtoi se në vitin 2024 janë nisur procedurat e prokurimit për hartimin e projektit për sanimin e rrëshqitjeve në autostradë dhe se ndërhyrjet do të bëhen sipas mundësive buxhetore dhe kontratave të mirëmbajtjes.
Gashi theksoi se çështja është urgjente dhe se procedurat duhet të përshpejtohen, duke marrë parasysh rrezikun për jetën e qytetarëve.
“Rrëshqitja është duke vazhduar dhe rastet me fatalitet mund të kërkojnë përgjegjësi penale për mirëmbajtësit e autostradës,” paralajmëroi Gashi. /Klankosova.tv



