“Këta i dua, këta duhet të largohen” – Klopp me ultimatum për Real Madridin

“Këta i dua, këta duhet të largohen” – Klopp me ultimatum për Real Madridin

Ish-trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, thuhet se ka përpiluar një listë kërkesash në rast se do të marrë drejtimin e Real Madrid  sezonin e ardhshëm.

Strategu gjerman nuk ka mbajtur një rol menaxheri që nga largimi i tij nga Liverpooli në verën e vitit 2024.

“Los Blancos” aktualisht drejtohen nga ish-mbrojtësi Alvaro Arbeloa, megjithatë rezultatet nën drejtimin e tij kanë qenë të paqëndrueshme.

Kjo pavarësisht faktit se madrilenët arritën të mposhtin Benfica në fazën eliminatore, duke siguruar një vend në 1/8-tën e UEFA Champions League.

Skuadra madrilene vjen pas një humbjeje zhgënjyese 1-0 në shtëpi ndaj Getafe CF në kuadër të La Liga, rezultat që e lë katër pikë prapa liderit FC Barcelona, me 12 ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.

Ndërkohë që spekulimet për të ardhmen e Arbeloas vazhdojnë të shtohen, mediumi Football 365 raporton se aktualisht Drejtori i Futbollit te Red Bull GmbH, Klopp, është shfaqur si një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e skuadrës madrilene.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, trajneri gjerman ka kërkuar katër largime nga skuadra dhe katër afrime të reja.

Në mesin e emrave të përfolur për transferim është edhe Rodri, i cili konsiderohet si një transferim “i panegociueshëm” në planet e tij.

Nga ana tjetër, Fran Garcia, Dani Ceballos, Franco Mastantuono dhe David Alaba raportohet se janë lojtarët që mund të largohen në rast të ardhjes së Kloppit.

Sa u përket përforcimeve, përveç Rodrit, Klopp synon edhe qendërmbrojtësin e Borussia Dortmund, Nico Schlotterbeck, mesfushorin e Paris Saint-Germain, Vitinha, si dhe sulmuesin e Juventus FC, Kenan Yildiz, i cili njëkohësisht përmendet edhe si objektiv i Liverpoolit.

Megjithatë, eksperti i transferimeve Fabrizio Romano ka deklaruar se Klopp është “plotësisht i përkushtuar” ndaj rolit të tij aktual te Red Bull dhe se deri më tani nuk ka pasur “negociata të drejtpërdrejta” nga bordi i Real Madridit për ta sjellë atë në krye të ekipit. /AutoPortali

TË FUNDIT