Një studim i ri ka zbuluar se kërkimi për “selfien e përsosur” po rezulton fatal në shumë raste anembanë globit.
Sipas analizës së realizuar nga The Barber Law Firm, India renditet si vendi më i rrezikshëm në botë për të bërë selfie, me plot 271 raste të raportuara që nga marsi 2014 deri në maj 2025.
Nga këto, 214 kanë përfunduar me vdekje dhe 57 me lëndime, shkruan Nypost, transmeton AutoPortali.
Në listën e zezë, Shtetet e Bashkuara janë të dytat me 45 raste gjithsej (37 vdekje dhe 8 të lënduar), ndërsa Rusia renditet e treta me 19 raste (18 vdekje dhe 1 i lënduar).
Më pas vijnë Pakistani me 16 vdekje dhe Australia me 15 raste gjithsej.
Ekspertët theksojnë se faktorët kryesorë që e bëjnë Indinë veçanërisht të rrezikshme lidhen me dendësinë e popullsisë, qasjen e lehtë në mjedise të rrezikshme si shkëmbinjtë apo shinat e trenit dhe kulturën e fuqishme të rrjeteve sociale.
Studimi tregon se shkaku kryesor i vdekjeve nga selfiet në mbarë botën është rënia nga lartësia, e cila përbën 46% të rasteve.
Përpjekja për të marrë një pamje spektakolare nga çatitë, shkëmbinjtë apo strukturat e larta shpesh përfundon tragjikisht.
“Kërkimi për validim në rrjetet sociale po kushton jetë njerëzish. Asnjë foto nuk ia vlen rrezikun,” tha në një deklaratë Kris Barber, themelues i “The Barber Law Firm”.
Ai theksoi se shumica e këtyre rasteve tragjike mund të ishin shmangur me më pak guxim dhe më shumë kujdes.
Lista e dhjetë vendeve më të rrezikshme për selfie sipas studimit është:
- India – 271 raste
- SHBA – 45 raste
- Rusia – 19 raste
- Pakistani – 16 raste
- Australia – 15 raste
- Indonezia – 14 raste
- Kenia – 13 raste
- Mbretëria e Bashkuar – 13 raste
- Spanja – 13 raste
- Brazili – 13 raste
Me rritjen e presionit për përmbajtje “virale” në platforma si Instagram dhe TikTok, ekspertët paralajmërojnë se njerëzit shpesh sakrifikojnë sigurinë për një foto, duke e kthyer një moment që duhet të ishte kujtim në tragjedi. /AutoPortali