Kina i jep fund “një pedalës”? Rregulla të reja për drejtimin e veturave elektrike
K

Kina i jep fund “një pedalës”? Rregulla të reja për drejtimin e veturave elektrike

A po afrohet fundi i një epoke për drejtimin me një pedal në makinat elektrike? Kina ka miratuar një rregullore të re që synon të kufizojë përdorimin e kësaj veçorie gjithnjë e më të përhapur. Rregullat e reja, që do të hyjnë në fuqi në vitin 2027, pritet të ndryshojnë mënyrën se si funksionojnë automjetet elektrike në këtë treg gjigant.

Një nga veçoritë më të dashura të EV-ve vihet në shënjestër

Nëse keni drejtuar ndonjëherë një makinë elektrike nga marka si Tesla, Rivian, Nissan apo Hyundai, me shumë gjasë jeni përballur me funksionin e njohur si “drejtimi me një pedal”. Kjo veçori lejon drejtuesin që, sapo të heqë këmbën nga pedali i gazit, makina të ngadalësojë dhe të ndalet falë frenimit rigjenerues – një sistem që jo vetëm kursen energji, por edhe zvogëlon konsumimin e jastëkëve të frenimit.

Megjithatë, sipas AutoBlog, Kina, një nga tregjet më të mëdha të automjeteve elektrike në botë – po e shikon me shqetësim këtë teknologji. Autoritetet po ndërhyjnë për ta rregulluar përdorimin e saj, pas disa ngjarjeve problematike në terren.

Rregulla të reja për frenimin me një pedale

Sipas transmetuesit shtetëror CCTV News, Ministria Kineze e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit ka miratuar standardin e ri GB 21670-2025, pjesë e përditësuar e “Kërkesave Teknike dhe Metodave të Testimit për Sistemet e Frenimit të Automjeteve Pasagjere”.

Sipas këtij standardi, automjetet nuk do të lejohen më të ndalojnë automatikisht sapo drejtuesi të heqë këmbën nga pedali i gazit. Në vend të kësaj, shoferët do të detyrohen të përdorin pedalin e frenimit për të ndalur automjetin.

Kjo nuk nënkupton ndalim të plotë të drejtimit me një pedal. Sidoqoftë, kjo veçori nuk do të jetë më e aktivizuar automatikisht dhe drejtuesit do të duhet ta aktivizojnë manualisht çdo herë që ndezin makinën – një vendim që autoritetet e konsiderojnë më të sigurt.

Siguria në qendër të vendimit

Vendimi erdhi pas një sërë incidentesh në Kinë, veçanërisht me drejtues të moshuar që kishin vështirësi me frenimin rigjenerues dhe mënyrën e drejtimit me një pedal – që ishte bërë parazgjedhje në shumë modele, sidomos ato të Tesla-s. Disa aksidente u cilësuan si raste të “përshpejtimit të paqëllimshëm”, ku drejtuesit ngatërronin pedalin e gazit me atë të frenave, duke shkaktuar përplasje të rënda.

Pas këtyre incidenteve, autoritetet detyruan Tesla-n të rikthente automjetet për një përditësim softueri, duke kaluar mënyrën standarde nga “Hold” në “Creep” – që e shtyn drejtuesin të përdorë frenat për të mbajtur makinën në vend. Por kjo nuk mjaftoi.

Pas shqyrtimit të situatës, autoritetet nxorën një projektligj për ndryshimin e rregullave, i cili tashmë është miratuar si standard kombëtar dhe do të hyjë në fuqi në vitin 2027. /AutoPortali

TË FUNDIT