Kompania ajrore nis përdorimin e inteligjencës artificiale për të përcaktuar çmimet e biletave
K

Kompania ajrore nis përdorimin e inteligjencës artificiale për të përcaktuar çmimet e biletave

Linjat ajrore po i bashkohen valës së teknologjisë së avancuar: pas terapive për çifte dhe këshillave financiare, tani është radha e inteligjencës artificiale (AI) të përcaktojë çmimet e biletave të avionit.

Kompania ajrore amerikane Delta, me seli në Atlanta, është ndër të parat që ka njoftuar publikisht për përdorimin e AI-së në këtë drejtim. Që në vjeshtën e kaluar, Delta deklaroi se planifikonte të testonte teknologjinë për të caktuar çmimet e 1% të biletave, bazuar në atë se sa ishte i gatshëm të paguante klienti.

Sipas “The Points Guy”, kompania synon që deri në fund të këtij viti, të shfrytëzojë AI-në për të përcaktuar çmimet në 20% të fluturimeve të brendshme. Teknologjia pritet të testohet për një periudhë 18 deri në 24 muaj.

Siç shkruan NyPost, në një thirrje për fitimet javën e kaluar, presidenti i Delta-s, Glen Hauenstein, deklaroi se kjo nismë përfaqëson një “ristrukturim të plotë të mënyrës se si caktojmë çmimet”, me synimin për të “hyrë në mendjen e konsumatorit dhe për t’i ofruar atij çmimin e duhur, në kohën e duhur”, transmeton AutoPortali.

Delta thekson se përvoja e klientit mbetet prioriteti kryesor, qasje që ndoshta e ka renditur kompaninë mes më të mirave për vitin 2025. Sipas “The Points Guy”, Delta jo vetëm që ka mbajtur vendin e parë për të shtatin vit radhazi, por është shpallur edhe kompania më e saktë në oraret e fluturimeve në SHBA.

Por jo çdo gjë shkon vaj. Më herët këtë muaj, një pjesë e krahut të një avioni të Delta-s, gjatë një fluturimi nga Atlanta drejt aeroportit Raleigh-Durham, ra nga qielli dhe përfundoi në oborrin e një banese në Karolinën e Veriut. Pavarësisht incidentit, avioni arriti të ulej i sigurt në destinacion, sipas një zëdhënësi të kompanisë.

Delta ende nuk ka komentuar zyrtarisht mbi këto zhvillime. /AutoPortali

TË FUNDIT