Përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillojë përballjen e fundit për këtë cikël të Ligës së Kombeve, si nikoqir i Lituanisë.
“Dardanët” kërkojnë ta mbyllin vetëm me fitore në Prishtinë, ndërsa vendin e dytë në tabelë e kanë të garantuar, kësisoj së paku do të luajë në mars për t’u promovuar në Ligën B.
Megjithatë, për dallim nga loja me Rumaninë, këtë herë Kosova më saktësisht Franco Foda duhet t’ia dalë pa dy qendërmbrojtësit, Amir Rrahmani e Lumbardh Dellova që në këtë cikël kanë qenë “zemra e ekipit”.
Të dy lojtarët e lartpërmendur janë të suspenduar shkaku i kartonëve kësisoj nuk do të jenë në gjendje për ta ndihmuar Kosovën kundër Lituanisë, mirëpo do të rikthehen në ndeshjet e muajit mars.
Sidoqoftë, Foda pritet t’i qëndrojë besnik sistemit 4-2-3-1, ku vendin e tyre do ta zënë Fidan Aliti e Andi Hoti.

Sa i përket pjesës ofensive dhe portës nuk do të ketë asnjë ndryshim ngase tekniku gjerman ka mbetur i kënaqur me punën e secilit në Rumani.
Formacioni i mundshëm i Kosovës (4-2-3-1): Muric, Hadërgjonaj, Hoti, Aliti, Vojvoda, Rexhbecaj, Berisha, Jashari, Muslija, Zhegrova, Muriqi.
Përballja do të nisë me fillim nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”.



