Kosova me synime për medalje në Grand Slam- Paris
K

Kosova me synime për medalje në Grand Slam- Paris

Spektakli ndërkombëtar i xhudos, Paris Grand Slam 2026, do të mbahet më 7 dhe 8 shkurt në kryeqytetin francez, duke sjellë në tatami 499 garues nga 80 shtete të 6 kontinenteve.

Ky turne konsiderohet një nga më prestigjiozët në kalendarin botëror të xhudos dhe ofron pikë shumë të rëndësishme për renditjen botërore dhe kualifikimet olimpike.

Në këtë event madhor, Kosova do të përfaqësohet nga gjashtë xhudistë elitarë, të cilët do të synojnë paraqitje sa më të suksesshme në një konkurrencë të nivelit të lartë.

Ekipi kosovar përbëhet nga Erza Muminoviq në kategorinë deri në 48 kilogramë, Distria Krasniqi dhe Fatjona Kasapi në kategorinë -52 kg, Flaka Loxha (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Akil Gjakova (-73 kg).

Vëmendja kryesore pritet të jetë e përqendruar te Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu, dy prej emrave më të spikatur të xhudos kosovare, ndërsa edhe gjenerata e re do të kërkojë të lërë gjurmë dhe të fitojë përvojë në një garë të nivelit Grand Slam.

Delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga Driton Kuka, trajneri legjendar dhe arkitekti i sukseseve historike të xhudos kosovare, së bashku me trajneren Majlinda Kelmendi, duke bashkuar përvojën, disiplinën dhe mentalitetin fitues që e ka karakterizuar këtë ekip ndër vite.


 

Paris Grand Slam 2026 përfaqëson një mundësi të shkëlqyer për Kosovën për të synuar medalje dhe për të forcuar më tej afirmimin ndërkombëtar, duke dëshmuar edhe një herë forcën dhe vazhdimësinë e saj në skenën botërore të xhudos. /AutoPortali

TË FUNDIT