Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka arritur një sukses historik, duke u kualifikuar për herë të parë në raundin e dytë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.
Në ndeshjen e kthimit të luajtur të dielën mbrëma në Prishtinë, “Dardanët” mposhtën Britaninë e Madhe 35:30, përpara një atmosfere të zjarrtë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit.
Kjo ishte fitorja e dytë ndaj britanikëve, pasi në ndeshjen e parë në Angli kishin triumfuar 32:26.
Me rezultatin e përgjithshëm 67:56, Kosova siguroi kalimin historik në fazën e dytë të kualifikimeve.
Pas një pjese të parë të dominuar (17:13), britanikët u kthyen në lojë në fillim të pjesës së dytë, por kosovarët treguan karakter dhe e mbyllën takimin me pesë gola epërsi.
Më i miri për Kosovën ishte Drenit Tahirukaj me 7 gola, ndërsa Drilon Tahirukaj, Leonard Gegaj dhe Egzon Gjuka shënuan nga 6 herë.
Kjo ishte ndeshja e parë nën drejtimin e përzgjedhësit të ri, Jesper Ostlund, i cili debutoi me dy fitore. Ai dhe asistenti Jasmin Zhuta do të përgatisin ekipin për fazën e ardhshme në mars, me disa miqësore të planifikuara në janar.




