Kryeredaktorja rajonale e revistës “Wanderlust” me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, e famshme për udhëtimet, Laura Field, vizitoi stendën e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “Fitur 2025” në Madrid, Spanjë.
Në një video të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit në rrjetet sociale, Field vlerëson bukuritë natyrore, kulturën dhe historinë e vendit tonë.
“Laura Field, redaktore rajonale në “Wanderlust”, është vetëm një prej shumë opinioneve pozitive nga profesionistët e medias që na vizituan në Panairin e Turizmit Fitur në Madrid”, shkruan AKT.
“Në revistën “Wanderlust” ne jemi të interesuar të ekspozojmë vendet që unë i konsideroj me vlerë për t’u eksploruar. Pra ne jemi vërtet të interesuar për Shqipërinë si destinacion dhe për pjesë të ndryshme të vendit si malet, rivierën shqiptare, si dhe historinë e kulturën e Tiranës”, tha Field.
Ajo u shpreh se “unë jam shumë e interesuar të vizitoj Shqipërinë sepse do të doja të bëja hiking në male. Kam dëgjuar shumë për rivierën shqiptare kështu që do të doja të notoja në bregdet dhe të mësoja më shumë për historinë dhe kulturën e vendit”.
Panairi “Fitur 2025” është pika globale e takimit për profesionistët e turizmit dhe panairi kryesor për tregjet hyrëse dhe dalëse në vendet iberike. Përmes sloganit “Albania All Senses”, Shqipëria prezanton potencialet e saj në panairin “Fitur 2025” në Madrid, nën qasjen e praktikave të qëndrueshme të zhvillimit të turizmit.



