BMW prezantoi së fundmi konceptin Speedtop, pak kohë pas modelit Touring Coupe të vitit 2023. Të dyja u menduan si interpretim modern i M Coupe-it origjinal – për shkak të dizajnit me dy dyer dhe tavanit të zgjatur që rikthen siluetën karakteristike të asaj që fansat e quajnë “clown shoe”.
Por realiteti është ndryshe: Touring Coupe nuk do të hyjë fare në prodhim, ndërsa nga Speedtop do të prodhohen vetëm 70 njësi, me një çmim që pritet të kapë shifrën e frikshme prej 500 mijë dollarësh. Nëse nuk i keni aq para të tepërta, zgjidhja është e thjeshtë – merrni origjinalin. Dhe një prej ekzemplarëve më të rrallë dhe më të bukur sapo ka dalë në shitje në platformën “Bring A Trailer”.
Pa çmim rezervë, ngjyrë e rrallë blu dhe kilometrazh ultra i ulët
Ky BMW M Coupe i vitit 2002 po shitet pa çmim minimal dhe në momentin e shkrimit oferta më e lartë ishte 77 mijë dollarë – me disa ditë të mbetura në ankand. Makina vjen në ngjyrën e rrallë Estoril Blue Metallic, me interior prej lëkure Nappa, ku përzihen e zeza dhe e njëjta blu karakteristike. Vetëm 22 njësi të M Coupe janë prodhuar në këtë konfigurim, shkruan Autoblg.
Pronari i parë, në Kaliforni, e ka mbajtur makinën deri në vitin 2025 dhe ka bërë vetëm 7,000 milje në total – shumë larg pragut kritik për problemet e njohura me VANOS-in dhe kushinetat e pistonëve që e shoqërojnë shpesh motorin S54.
Këtë vit janë zëvendësuar pasqyra e brendshme dhe leva e ndërrimit të shpejtësive për shkak të konsumit estetik nga koha, por pjesa tjetër e makinës mbetet origjinale. Rri ende unike me rrotat 17-inç me përfundim Shadow, ndërsa panelet me tregues analogë dhe sistemi i vjetër BMW Business CD i japin një ndjesi të pastër old-school.
Klimatizimi me tre komandat fizike është një frymëmarrje thjeshtësie në krahasim me sistemin modern iDrive, i shoqëruar edhe nga tre matës klasikë poshtë panelit.
Një motor për t’u pasionuar
Ylli i kësaj makine është motori me gjashtë cilindra në linjë, 3.2 litra S54 – pa turbo, pa elektrifikim, vetëm mekanikë e pastër. Me 315 kuaj fuqi dhe 258 lb-ft çift rrotullimi, këto shifra mund të mos impresionojnë në krahasim me standardet e sotme, por mënyra si ky motor shkon deri në 8,000 rpm nuk krahasohet me asgjë moderne. Fuqia transmetohet te rrotat e pasme përmes një kambioje manuale me pesë marshe dhe diferencial i bllokuar.
Në përgatitje për shitje janë ndërruar vajrat e motorit, të kambio-s dhe diferencialit. Makina ka raport CarFax të pastër dhe dokumentacion të rregullt në Kaliforni.
Po, BMW-të manuale ekzistojnë ende – por të gjitha duken të rënda dhe të komplikuara përkrah këtij M Coupe të pastër. Kjo “furgonçkë” e vogël mund të mos arrijë luksin apo fuqinë V8 të Speedtop-it, por shpirtin që mbart nuk e kopjon dot asnjë makinë moderne. Kushdo që e merr, do të jetë me fat. /AutoPortali



