Charles Leclerc fitoi fundjavën e kaluar në pistën e Silverstone, suksesi i parë sezonal për monegaskun. Ai prej javësh kishte deklaruar se ndjenja e një suksesi ishte pranë dhe më në fund ia doli mbanë.
Gjithsesi, piloti i “kokëkuqes” pranon se nuk duhet të bëjë gabimin dhe të mendojë se më në fund ka arritur në fund të tunelit: “Është vetëm një garë dhe nuk duhet ta mashtroj veten duke menduar se lufta ka mbaruar”.
“Beteja me këtë makinë ka qenë e vështirë kohët e fundit dhe nuk mund ta marr si të mirëqenë që e kam lënë pas. Prandaj, do të vazhdoj të punoj, duke u përpjekur ta rizbuloj atë ndjesi në mënyrë më të vazhdueshme në të ardhmen“, tha Leclerc.
“Nuk përqendrohemi vetëm te gara e radhës në Belgjikë, por në procesin e nevojshëm për të gjetur ndjesinë ideale përgjatë gjithë sezonit dhe për të maksimizuar performancën e makinës në çdo garë dhe pistë”, deklaroi Leclerc.



