Basketbollisti i GO+Pejës dhe kapiteni i skuadrës, Dardan Berisha, ka pësuar një lëndim dhe për pasojë do të mungojë në parket për një kohë të pacaktuar.
Lajmi është bërë i ditur të hënën nga klubi pejan përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale.
Mungesa e Berishës është vërejtur tashmë, pasi ai nuk ishte i pranishëm në ndeshjen e së dielës, ku Peja u mposht nga Vëllaznimi i Gjakovës me rezultat 94:85.
Kjo ndeshje ishte e vlefshme për xhiron e 14-të të kampionatit dhe u zhvillua pa njërin nga lojtarët kyç të ekipit verdhezi.
Lëndimi i Berishës lidhet me incidentin e ndodhur të enjten e kaluar në përballjen ndërmjet Bashkimit dhe Pejës.
Gjatë asaj ndeshjeje, pas hedhjes së gjësendeve në parket nga shikuesit, basketbollisti u godit dhe pësoi një të çarë në ballë, çka bëri që ai të largohej nga loja.
Klubi i Pejës, përmes një reagimi zyrtar, ka konfirmuar gjendjen e kapitenit dhe i ka uruar shërim sa më të shpejtë.
“Kapiteni i skuadrës, Dardan Berisha, ka pësuar lëndim dhe do të jetë jashtë fushave për një kohë të pacaktuar. I urojmë Dardanit rikuperim të mirë dhe rikthim sa më të hershëm në parket”, thuhet në njoftimin e klubit.
Dardan Berisha konsiderohet një nga lojtarët kryesorë dhe më me përvojë te GO+Peja, ndërsa mungesa e tij pritet të ndjehet në ndeshjet e ardhshme të skuadrës, derisa ai të rikuperohet plotësisht. /AutoPortali



