Lexus heq dorë nga hibridi, LC 2026 vjen vetëm me motor V8
L

Lexus heq dorë nga hibridi, LC 2026 vjen vetëm me motor V8

Modelet e dy-dyerve të markës Lexus, LC Coupe dhe Convertible, do të jenë të disponueshme vetëm me motor V8 për vitin 2026, ndërsa rikthehet edhe seria e limituar “Inspiration Series”.

Lexus LC ka qenë gjithmonë një veturë mahnitëse për udhëtime të gjata me dizajn të spikatur dhe një kabinë të pasur në detaje. MotorTrend shkruan se pikat më të dobëta të saj ishin transmisioni jo shumë i rafinuar dhe versioni hibrid LC500h me motor V6, që nuk u mirëprit nga të gjithë.

Pas lansimit fillestar më 2017, modeli po plaket, por Lexus është duke vazhduar ta mbajë të gjallë linjën dy-dyerve me disa ndryshime të rëndësishme, transmeton AutoPortali.

Për fillim, për vitin 2026, LC nuk do të ofrojë më modelin hibrid LC500h me motor V6 dhe sistem benzinë-elektrik. Në treg mbetet vetëm LC500, me motorin e fuqishëm 5.0-litërsh V8, që prodhon 471 kuaj fuqi dhe 398 lb-ft çift rrotullues.

Edhe pse modeli hibrid ishte më ekonomik dhe interesant teknikisht, për shumicën e entuziastëve, tingulli i motorit V8 është i pazëvendësueshëm.

Motori V8 vazhdon të kombinohet me një transmision automatik me 10 shpejtësi, me mundësinë që shoferi ta kontrollojë vetë përmes levave pas timonit.

Transmisioni mbetet i njëjtë si më parë, që do të thotë se ndoshta modeli 2026 do të vazhdojë të ketë marshim paksa të gjatë. Megjithatë, LC500 arrin nga 0 në 100 km/h për më pak se 5 sekonda, dhe me një ndarje më të shkurtër të marshave, motori V8 do të vinte edhe më shumë në shprehje.

Vetura vjen me një ekran 12.3 inç për informacion dhe argëtim, që zëvendëson sistemin e mëparshëm të kritikuar të komandimit me “touchpad”.

Po ashtu përfshihet edhe kamera 360 gradë me pamje panoramike, që ndihmon në parkim pa dëmtuar rrotat e mëdha të LC-së. Sediljet e përparme janë ridizajnuar për të ofruar më shumë mbështetje në kthesa të forta, me elemente të shtuara në pjesën e shpatullave.

Rikthehet edhe seria e limituar “Inspiration Series”

Për vitin 2026, rikthehet seria e veçantë “Inspiration Series”, si për modelin coupe ashtu edhe për kabrioletin. Prodhimi do të jetë i kufizuar në vetëm 200 njësi për coupe dhe 350 për kabrioletin LC.

Çmimi fillestar për Lexus LC500 Coupe 2026 do të jetë 101,700 dollarë, ndërsa kabrioleti do të kushtojë 109,200 dollarë rreth 1,275 dollarë më shumë se modeli i vitit 2025 për coupe dhe 1,575 dollarë më shumë për kabrioletin. /AutoPortali

TË FUNDIT