Ish-pilotja e F1 Academy, Lia Block, ka konfirmuar se do të rikthehet në rally në vitin 2026, ku synon titullin në American Rally Association National Championship duke garuar me një Hyundai i20 N Rally2.
Block debutoi në American Rally Association në vitin 2021 dhe në 2022 u bë pilote me kohë të plotë. Në vitin 2023 ajo garoi në kategorinë Open Two-Wheel-Drive dhe u bë kampionia më e re në histori e serisë, vetëm 16 vjeç.
Në vitet 2024 dhe 2025 ajo kaloi në gara me makina njëvendëshe, duke iu bashkuar akademisë së pilotëve të Williams Racing dhe duke garuar në F1 Academy. Pas largimit nga kjo seri në fund të vitit 2025, amerikania vendosi të rikthehet në rally.
“Do të kaloj në klasën RC2 me një Hyundai Rally2, gjë që është shumë emocionuese për mua,” tha ajo, duke shtuar se beson në aftësinë e saj për t’u përshtatur shpejt me makina dhe disiplina të reja.

Ajo theksoi se objektivi i saj është të luftojë për titullin kampion, edhe pse rally është një sport shumë i paparashikueshëm. Block shtoi se dëshiron të riafirmojë veten në botën e rally-t dhe mbi të gjitha të shijojë garimin, diçka që i kishte munguar vitet e fundit.



