Edhe qytetarët që e duan jetën urbane, kanë nevojë herë pas here për një shkëputje nga betoni dhe rrëmuja. Por nuk është e thënë që për ta bërë këtë të largoheni nga qyteti.
Disa prej metropoleve botërore janë ndërtuar përreth natyrës mahnitëse, qofshin plazhe, parqe natyrore apo peizazhe malore, ndërsa të tjera kanë ndërmarrë nisma ambicioze për të gjelbëruar rrugët me hapësira publike e parqe të reja.
E vërteta është se natyra është e mirë për shëndetin tonë. Shumë studime kanë vërtetuar se qëndrimi në ambiente të gjelbra ul stresin, përmirëson shëndetin mendor dhe na inkurajon të jemi më aktivë fizikisht.
Madje, disa kërkime kanë treguar se koha në natyrë mund të zgjasë jetën. Hapësirat e gjelbra kontribuojnë edhe për klimën urbane, përmirësojnë cilësinë e ajrit, freskojnë temperaturat dhe ndihmojnë në reduktimin e përmbytjeve, shkruan Time Out, transmeton AutoPortali.
Por cilat qytete ofrojnë kushtet më të mira për të jetuar pranë natyrës?
Për ta zbuluar këtë, platforma e njohur Time Out pyeti 18,500 banorë nga qytete të ndryshme të globit dhe përzgjodhi 20 qytetet që morën përqindjen më të lartë të vlerësimeve pozitive për hapësirat e gjelbra dhe aksesin në natyrë.
Medellín, “Qyteti i pranverës së përjetshme”, në krye të listës
Medellin
Në vend të parë renditet Medellín, qyteti i dytë më i madh në Kolumbi, ku plot 92% e banorëve e vlerësuan aksesin në natyrë. I njohur për klimën tropikale të butë gjatë gjithë vitit, Medellín nisi në vitin 2016 një projekt për ndërtimin e “korridoreve të gjelbra” nëpër rrugët e qytetit. Brenda tre viteve të para, temperatura mesatare në qytet ra me 2°C.
Përmes qytetit kalon një lumë që shoqërohet nga parqe buzë ujit, me 280 pemë dhe mbi 38,000 metra katrorë hapësirë të gjelbër. Jashtë qytetit ndodhen zona natyrore si Lugina e Río Claro, ku vizitorët mund të notojnë apo të angazhohen në sporte ujore.
Boston Common
Në vend të dytë renditet Bostoni, me 88% vlerësime pozitive nga banorët. I njohur për Boston Common, parku më i vjetër në SHBA dhe më i vizituari në qytet, Bostoni u rendit gjithashtu si qyteti i dytë më i mirë për ecje në këmbë.
Sidnej
Në vend të tretë vjen Sydney, me 87%, i cili përveç se ka shumë parqe urbane, ndodhet pranë Parkut Kombëtar të Maleve Blu, si dhe ka më shumë se 100 plazhe për not, sërf, zhytje dhe kajak.
20 qytetet me më shumë hapësira të gjelbra dhe akses në natyrë, sipas banorëve:
- Medellín, Kolumbi – 92%
- Boston, SHBA – 88%
- Sydney, Australi – 87%
- Londër, MB – 87%
- Austin, SHBA – 86%
- Edinburg, MB – 86%
- Melbourne, Australi – 86%
- Denver, SHBA – 84%
- Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe – 83%
- Cape Town, Afrikë e Jugut – 83%
- Chicago, SHBA – 83%
- San Francisco, SHBA – 82%
- Stokholm, Suedi – 82%
- Montreal, Kanada – 81%
- Mynih, Gjermani – 81%
- Mumbai, Indi – 79%
- Pekin, Kinë – 78%
- Zyrih, Zvicër – 77%
- Ottawa, Kanada – 77%
- Brisbane, Australi – 76%