Kompania britanike Lotus, në pronësi të grupit kinez Geely, ka njoftuar se do të shkurtojë 550 vende pune në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë fabrikën kryesore të prodhimit në Hethel, Norfolk, në përpjekje për të kompensuar humbjet financiare të vazhdueshme.
Lotus tha se këto shkurtimesh janë të nevojshme për t’u përshtatur me një peizazh të paqëndrueshëm të industrisë globale të makinave, duke përmendur “ndryshimet e shpejta në politikat globale, përfshirë tarifat doganore” si një nga arsyet kryesore. Shkurtimet do të prekin të gjitha departamentet, ndërsa pritet që rreth 40% e 1300 punonjësve aktualë në Britani të humbasin vendet e tyre të punës, shkruan Autocar, transmeton AutoPortali.
Kompania është përballur me rënien e kërkesës për automjete elektrike luksoze, pasi strategjia e saj e zgjerimit ishte bazuar në modelet elektrike si SUV-i Eletre dhe sedani Emeya. Gjatë tremujorit të parë të vitit, shitjet e Lotus ranë me 42%, duke shënuar rënien e parë të ndjeshme që prej lansimit të gamës së re të modeleve nga Geely.
“Nisma është menduar për ta bërë Lotus më fleksibël dhe më të aftë për të vepruar në përputhje me kërkesat e tregut,” thuhej në deklaratën zyrtare të kompanisë.
Këto zhvillime vijnë pas një tjetër njoftimi në prill, ku 270 vende pune u eliminuan, shumica në Hethel. Pavarësisht lajmeve të fundit, Lotus ka theksuar se fabrika e Hethel do të mbetet aktive. “Marka mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj Mbretërisë së Bashkuar,” tha kompania. “Norfolku do të vazhdojë të jetë shtëpia e sport-makinave, garave dhe operacioneve inxhinierike të Lotus.”
Lotus planifikon gjithashtu të diversifikojë funksionin e fabrikës në Hethel, duke shqyrtuar mundësinë që të prodhojë automjete për marka të tjera. Një nga projektet e mundshme është Polestar 6, një roadster elektrik i paralajmëruar nga marka suedeze.
Ndërkohë, drejtimi i operacioneve në Evropë ka pësuar lëvizje të shumta. Mao Jingbo do të zëvendësojë Matt Windle, i cili vetë kishte marrë detyrën vetëm në prill, pas largimit të Dan Balmer dhe më herët Mike Johnstone. Ky është drejtuesi i katërt për më pak se dy vjet në këtë pozitë.
Geely bleu Lotus në vitin 2017 nga Proton përmes një investimi prej 2 miliardë paundësh, por ende nuk ka arritur të realizojë një kthim të konsiderueshëm financiar. Në tremujorin e parë të vitit, Lotus raportoi një humbje neto prej 183 milionë dollarësh, ndërsa borxhi u rrit në 3.3 miliardë dollarë. Rezultatet e tremujorit të dytë priten të publikohen më 29 gusht.
Megjithatë, më 19 gusht, kompania njoftoi se kishte mbledhur 300 milionë dollarë përmes një shitjeje aksionesh, për të cilat CEO Qingfeng Feng deklaroi se do të sigurojnë “më shumë fleksibilitet për transformimin e kompanisë.”



