Maja e Hekurave në Tropojë, bukuri që sfidon çdo alpinist
M

Maja e Hekurave në Tropojë, bukuri që sfidon çdo alpinist

E vendosur në zemër të Alpeve Shqiptare, Maja e Hekurave në Tropojë është një nga destinacionet më mbresëlënëse për dashamirësit e turizmit malor dhe ata të aventurës, por edhe nga më sfidueset.

E mbuluar nga dëbora këtë janar, Maja e Hekurave ka një pamje spektakolare, duke ofruar një përvojë unike për alpinistët, por edhe për adhuruesit e maleve që shohin pamjet e përcjella prej tyre, raporton ATSH, përcjell AutoPortali.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga Maja e Hekurave ku kanë kapur majën një grup alpinistësh e ku njeriu nuk mund të mos mendojë se si ia kanë dalë deri atje lart.

Flamuri shqiptar nuk mund të mungonte as në Majën e Hekurave si për çdo arritje tjetër ku simboli kombëtar tregon krenarinë.

Maja e Hekurave ndodhet në Alpet Shqiptare në rrethin e Tropojës, me lartësi 2561 metra dhe shtrihet në lartësitë e luginës së Valbonës.

Cirqet e shumta akullnajore, që shtrihen gati në të gjitha anët i kanë dhënë majës një formë të mprehtë piramidale.

Zona përreth ruan ende natyrën e paprekur, biodiversitetin e pasur dhe traditat karakteristike të Tropojës. Vizitorët kanë mundësi të kombinojnë aventurën alpine me ecje në shtigje malore, eksplorim të faunës e florës dhe njohje me kulturën dhe traditën shqiptare.

TË FUNDIT