E ardhmja e Lucid Motors mbetet e pasigurt, ndërsa humbjet financiare po thellohen dhe mungesa e një drejtuesi të përhershëm rrit pasigurinë.
Edhe pse makinat elektrike të kompanisë amerikane marrin vlerësime të shkëlqyera nga mediat e automobilizmit, realiteti financiar është shumë më pak i ndritshëm, shkruan Autoblog, transmeton AutoPortali.
Modeli Lucid Air Sapphire, me 1,234 kuaj fuqi dhe një çmim prej 250 mijë dollarësh, tërheq vëmendje në rrugë, por shifrat në bilanc tregojnë një tablo krejt tjetër: 790 milionë dollarë humbje përballë 259 milionë dollarëve të ardhura. Shitjet u rritën në 3,309 automjete në një vit, por kjo nuk mjafton për të mbuluar humbjet e thella.

Humbje miliardëshe dhe aksione në rënie të lirë
Lucid ka në dispozicion 4.86 miliardë dollarë likuiditete, nga të cilat vetëm rreth 1.9 miliardë janë vërtet likuide. Kompania djeg rreth 1 miliard dollarë çdo pak muaj, duke e bërë rezervën financiare gjithnjë e më të pamjaftueshme.
Aksionet e kompanisë janë rrëzuar në 2.18 dollarë për aksion, nga 55 dollarë në vitin 2021, duke hyrë në territorin e “penny stock”. Për të mbetur në bursën NASDAQ, Lucid u detyrua të kryente një “reverse stock split” disa javë më parë.

Arabia Saudite, shpëtimtarja e mundshme
Investitorët janë skeptikë për të ardhmen e kompanisë. Zyrtarisht, Lucid thotë se mund të vazhdojë aktivitetin deri në mesin e vitit 2026, por në realitet do t’i duhet një injeksion i madh kapitali, i ngjashëm me 4.4 miliardët e mbledhur në vitin 2021. Shpresa më e madhe mbetet Fondi i Investimeve Publike i Arabisë Saudite (PIF), që zotëron rreth 60% të aksioneve.
Megjithatë, edhe pse PIF ka kapacitete të mëdha financiare, pyetja është nëse do të vazhdojë të investojë në një kompani që shpenzoi 850 milionë dollarë këtë tremujor për të gjeneruar vetëm 260 milionë.

Krizë drejtimi dhe produkte që vonohen
Situatën e rëndon edhe mungesa e një drejtuesi të përhershëm. Ish-CEO Peter Rawlinson dha dorëheqjen në shkurt 2025, duke kaluar në rolin e këshilltarit teknik. Për momentin, drejtimin e mban përkohësisht Marc Winterhoff, COO i kompanisë, ndërsa pasardhësi nuk është shpallur ende.

Ndërkohë, planet për të ardhmen janë të pasigurta. SUV-i Lucid Gravity, i cilësuar si modeli që duhet të gjenerojë shitjet masive, nuk ka hyrë ende fuqishëm në treg. Dërgesat në volum pritet të nisin vitin e ardhshëm, ndërsa një model më i përballueshëm nën 50 mijë dollarë, i quajtur përkohësisht “Earth”, është parashikuar për vitin 2026. Por pyetja mbetet nëse Lucid do të arrijë të mbijetojë deri atëherë.
Pas shkëlqimit të makinave luksoze, Lucid Motors përballet me presionin e kohës dhe parave. Pa një CEO të qëndrueshëm dhe pa një strategji të qartë, e ardhmja e kompanisë është në duart e investitorëve sauditë dhe aftësisë për të sjellë shpejt në treg një model më të përballueshëm. /AutoPortali



