Mosha mesatare e makinave në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar ka arritur një rekord të ri, duke shkuar në nëntë vjet e dhjetë muaj deri në fund të vitit 2024, sipas një analize të Fondacionit RAC. Ky është treguesi më i lartë që nga fillimi i regjistrimit të automjeteve dhe një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2015, kur mosha mesatare ishte vetëm shtatë vjet e pesë muaj.
Ekspertët theksojnë se kjo situatë reflekton dy anë të ndryshme të realitetit. Nga njëra anë, përmirësimet në teknologji dhe besueshmëria më e madhe e automjeteve kanë bërë që makinat të zgjasin më shumë dhe të qëndrojnë më gjatë në përdorim. Por nga ana tjetër, çmimet e larta të makinave të reja dhe pasiguria ekonomike gjatë krizës së kostos së jetesës kanë bërë që shumë shoferë të mos përballojnë dot ndërrimin e automjetit, transmeton AutoPortali.
Për më tepër, kalimi gradual drejt automjeteve elektrike duket se ka ngadalësuar edhe më tej ritmin e zëvendësimit të makinave të vjetra, duke krijuar pasiguri te konsumatorët.
Nga të gjitha kategoritë, makinat me benzinë rezultojnë më të vjetrat, me një moshë mesatare prej dhjetë vjet e katër muaj, të ndjekura nga ato me naftë në dhjetë vjet e një muaj.
Kjo prirje ngre pyetje të rëndësishme për të ardhmen e transportit rrugor në Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht në kontekstin e objektivave për reduktimin e emetimeve dhe kalimin në një sistem më të qëndrueshëm.



