Sezoni turistik i këtij viti ka shënuar një fluks të lartë udhëtarësh në Portin e Sarandës, i cili po konsolidohet si një nga pikat më të rëndësishme hyrëse për turizmin në jug të Shqipërisë.
Me tragetet, kroçerat dhe anijet turistike që kanë mbërritur nga Korfuzi në Sarandë numri i udhëtarëve, përfshirë këtu edhe turistët ditorë, ka shënuar shifra të larta, sidomos në tre muajt e verës, qershor-gusht.
Drejtori i Portit të Sarandës, Admir Malaj tha sot për ATSH-në se “nga 1 janari deri më 3 shtator në port kanë hyrë dhe kanë dalë 560 mijë udhëtarë, duke shënuar 21% më shumë se në periudhën janar-gusht të 2024-s”, përcjell AutoPortali.
Muaji që ka shënuar një fluks udhëtarësh në Portin e Sarandës është gushti, por edhe në shtator numri i pasagjerëve që udhëtojnë nga Saranda drejt Korfuzit dhe anasjelltas vazhdon të jetë i lartë.
“Gjatë muajit gusht në port kanë hyrë dhe kanë dalë rreth 200 mijë udhëtarë, duke shënuar edhe muajin me shifrën më të lartë. Ndërsa në tri ditët e para të shtatorit në port kanë hyrë dhe kanë dalë 15 mijë udhëtarë, duke konfirmuar që Saranda vijon të ketë turizëm gjithëvjetor”, theksoi Malaj.
Saranda konsiderohet si një vendet më të bukura të Rivierës Shqiptare. Turistët – përgjithësisht të huaj nga vende të ndryshme të botës – vizitojnë Sarandën, kryesisht gjatë stinës së verës, por edhe në pranverë dhe vjeshtë. Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj, ku ndër destinacionet më të vizituara janë parqet arkeologjike të Butrintit dhe Finiqit, kalaja e Lëkurësit, e tjerë.