Gjiganti francez, Olympique Marseille, ka hedhur hapat e parë konkretë drejt transferimit të anësorit kosovar, Edon Zhegrova.
Sipas raportimeve të fundit nga eksperti i merkatos, Fabrizio Romano, bisedimet mes përfaqësuesve të klubit francez dhe lojtarit tashmë kanë filluar.
Marseille është në kërkim të përforcimeve në krahët e sulmit dhe e sheh Zhegrovën si një profil të përshtatshëm për skemën e trajnerit të ri. Interesimi për 25-vjeçarin ka qenë i madh edhe më herët, me klube si Napoli dhe Fenerbahçe që kishin shfaqur interes konkret, por negociatat nuk kishin prodhuar ndonjë marrëveshje përfundimtare, transmeton AutoPortali.
Zhegrova vjen pas një sezoni pozitiv me skuadrën franceze të Lille, ku në 21 paraqitje arriti të realizojë 8 gola dhe të dhurojë 2 asistime. Megjithatë, fati nuk ishte në anën e tij, pasi një lëndim e detyroi të mbyllte sezonin përpara kohe.




