Detajet janë të pakta, por kompania e di që blerësit duan “makina me mekanikë të pastër”.
E ardhmja e Maserati-t është më e paqartë se kurrë. Shitjet ranë në mënyrë drastike në 2024, dhe zërat për shitjen e afërt të markës nuk kanë të ndalur. Megjithatë, nëse kompania mund të rimëkëmbet, mund të shohim një model të ri kryesor me kambio manuale që nga viti i ardhshëm.
Sipas Motor1, ka pak informacione për këtë supermakinë të re, por shefi i inxhinierisë në Maserati, Davide Danesin, sugjeroi në një intervistë për Autocar se është e mundur që një automjet i tillë të ketë një kambio manuale.
Sipas Danesin, ka ende klientë që duan “makina me mekanikë të pastër” dhe nuk kanë interes për automjetet elektrike, transmeton AutoPortali.
Maserati anuloi MC20-në elektrike më herët gjatë këtij viti për shkak të kërkesës së dobët, dhe nuk është i vetmi prodhues i makinave luksoze që po rishikon pozicionin ndaj automjeteve elektrike. Disa prodhues po kthehen në prodhimin e motorëve me benzinë, pasi kërkesa për automjetet elektrike dobësohet në tregje të caktuara. Edhe Lamborghini mund të braktisë modelin elektrik GT për një hibride.

“Duke bërë një makinë me mekanikë të pastër, ka kuptim të ketë një kambio manuale me shifter,” i tha Danesin Autocar-it. “Pse jo? Përputhet plotësisht me markën. Përputhet me qasjen dhe mentalitetin tonë. Pra, sinqerisht, mendoj që një ditë do ta bëjmë.”
Maserati pritet të bazojë makinën në GranTurismo dhe do të përdorë motorin V6 me dy turbo, 3.0 litra Nettuno të markës. Ky motor prodhon 621 kuajfuqi në modelin e ri MCPura, por ndoshta do të ketë edhe më shumë fuqi nëse bëhet një seri e limituar dhe ekskluzive.
Megjithatë, një makinë në seri të limituar nuk do të zgjidhë situatën e vështirë financiare të kompanisë. Vitin e kaluar, para se të largohej nga kompania, ish-CEO i Stellantis, Carlos Tavares, tha se grupi do të vendoste fatin e 14 markave të tij brenda vitit të ardhshëm, kështu që Maserati mund të mos ketë shumë kohë për të treguar vlerën e vet. Por me shefin e ri të Stellantis, gjërat mund të jenë ndryshuar pas skenave.
Megjithatë, duket se drejtuesit kanë një ide të drejtë për të rigjallëruar interesin për markën, dhe kjo nuk përfshin bateri apo motorë elektrikë. Kjo është një fitore. /AutoPortali



