Mbetjet në fokus, Rama prezanton planin kombëtar për riciklim dhe menaxhim të qëndrueshëm
M

Mbetjet në fokus, Rama prezanton planin kombëtar për riciklim dhe menaxhim të qëndrueshëm

Kryeministri Edi Rama ka shpallur nisjen e një reforme të re në menaxhimin e mbetjeve, të cilën e cilësoi si hap vendimtar për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në qendër të kësaj reforme është krijimi i një Operatori Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, që do të marrë përsipër grumbullimin dhe trajtimin në të gjithë territorin e vendit.

“Pa marrjen e përgjegjësisë për trajtimin e mbetjeve si detyrë kombëtare dhe për riciklimin e tyre deri në asgjësim, kapitulli i mjedisit në negociata është një rrugë pa dalje,” deklaroi Rama.

Sipas tij, projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve do të harmonizojë legjislacionin shqiptar me atë europian, duke përcaktuar hierarkinë nga parandalimi deri te asgjësimi, si dhe krijimin e një fondi të ekonomisë së mbetjeve, raporton Monitor.

Rama theksoi se, ndryshe nga modeli aktual, bashkitë nuk do të kenë më rol drejtues në menaxhimin e mbetjeve, por do të funksionojnë si klientë të operatorit të ri kombëtar. “Kjo ndërmarrje e re do të jetë në dispozicion të pushtetit vendor, por procesi i trajtimit do të përqendrohet në një strukturë të vetme kombëtare, në bashkëpunim me hallkat e tjera të qeverisjes,” tha ai.

Kryeministri shprehu keqardhje që edhe pse vërehen përmirësime në disa zona, si në Himarë, mungon ende ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe përmirësimet në trajtimin real të mbetjeve.

Rama e cilësoi mjedisin si “kapitullin më të vështirë dhe sfidues të negociatave për anëtarësim në BE”, duke kërkuar angazhim nga të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administratës publike.

“Me Himarën dhe më tej gjërat kanë shkuar më mirë se vitin e kaluar, por nevojitet një ritëm më i lartë reformash ligjore dhe masash konkrete. Të gjithë, pa përjashtim, duhet të ndërgjegjësim se ky është aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në BE,” u shpreh Rama.

Projekti i ri parashikon krijimin e një tregu të centralizuar të shërbimeve të mbetjeve, ku bashkitë do të blejnë shërbimin nga operatori kombëtar. Kjo nënkupton ndryshim të modelit financiar të menaxhimit, si dhe ngritjen e një fondi të posaçëm për ekonominë e mbetjeve, që pritet të gjenerojë investime në riciklim dhe teknologji të trajtimit.

Sipas qeverisë, harmonizimi me direktivat europiane është thelbësor jo vetëm për anëtarësimin, por edhe për të përmirësuar cilësinë e jetës, për të krijuar vende pune në industrinë e riciklimit dhe për të reduktuar kostot afatgjata të menaxhimit të mbetjeve. /AutoPortali

TË FUNDIT