Skuadra britanike e McLaren ka pohuar publikisht se është duke ndjekur me interes zhvillimet e fundit rreth të ardhmes së Christian Horner te Red Bull Racing, mes zërave për një largim të mundshëm të tij pas disa muajsh të trazuar.
Shefi i McLaren, Zak Brown, konfirmoi për Motorsport.com se ekipi i tij është i vetëdijshëm për tensionet e brendshme në kampin e rivalëve dhe do të vazhdojë të “vëzhgojë nga jashtë” situatën që lidhet me drejtuesin shumëvjeçar të Red Bull-it, transmeton AutoPortali.
“Ne nuk jemi pjesë e atij diskutimi, por natyrisht e ndjekim atë që po ndodh. Horner ka luajtur një rol të madh në suksesin e Red Bull-it, ndaj çdo ndryshim do të ndikojë balancat në Formula 1,” tha Brown.
Christian Horner ka qenë në qendër të vëmendjes muajt e fundit për shkak të hetimeve të brendshme që lidhen me sjellje të papërshtatshme, edhe pse ai i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Edhe pse u konfirmua në detyrë, tensionet e brendshme brenda Red Bull nuk janë zbehur.
Disa burime të afërta me paddock-un e F1 kanë përmendur mundësinë që Horner të largohet para sezonit 2026, kur do të nisë epoka e re e motorëve dhe ndryshimeve teknike, ku Red Bull bashkëpunon me Ford.
“Në Formula 1, gjithçka ndryshon shpejt. Askush nuk është i paprekshëm,” komentoi shkurt një tjetër zyrtar i McLaren për.
Nëse Horner largohet nga Red Bull, ndikimi në strukturën sportive dhe teknike të kampionëve të botës pritet të jetë i ndjeshëm, ndërkohë që McLaren duket e gatshme të përfitojë nga çdo vakum që mund të krijohet në krye të skuderisë rivale. /AutoPortali


                                    

