Shefi i ekipit McLaren, Andrea Stella, është i bindur se skuadra e tij ka mundësinë të mbajë prapa Max Verstappen dhe Red Bull në garën për titullin e Formula 1 për vitin 2025.
Pavarësisht që Verstappen ka fituar përballjet e fundit, katër garat e fundit, përfshirë Singaporin, ku ai u rendit i dyti përpara Lando Norris dhe Oscar Piastri, Stella nuk e sheh fundin e sezonit si një “mbrojtje nga dëmi”, por si një mundësi për të rikthyer fitoren.
“Ka edhe pesë gara dhe dy sprinte, që do të thotë se mund të rrisim epërsinë ndaj Maxit. Unë mendoj se na presin pista të mira për makinën tonë”, u shpreh Stella.
Aktualisht, Piastri kryeson kampionatin, por me vetëm 40 pikë epërsi ndaj Verstappen, i cili ka përfituar nga përmirësimet e fundit të Red Bull. Sidoqoftë, Stella beson se disa pista që vijnë, si Katari, Meksika, Brazili, Las Vegasi dhe Abu Dabi, mund të favorizojnë McLaren.
Ai shtoi se në disa gara, si Baku dhe Austin, McLaren nuk ka arritur të shfrytëzojë potencialin e plotë të makinës. Në Austin, për shembull, të dy pilotët u eliminuan që në fillim të sprintit, duke i lënë pa të dhëna të rëndësishme për garën kryesore.
“Ka më shumë potencial që nuk e kemi shfrytëzuar. Edhe pilotët e kanë kuptuar se mund të kishin bërë më mirë në disa gara”, tha Stella.
“Kampionati është ende në duart tona. Ne e kemi në dorë rezultatin dhe kjo është mendësia që do të na udhëheqë deri në fund”.