McLaren e pranon: Ferrari dhe Mercedes një hap përpara
M

McLaren e pranon: Ferrari dhe Mercedes një hap përpara

Andrea Stella, drejtor i ekipit McLaren, vlerësoi se Ferrari dhe Mercedes janë në avantazh ndaj skuadrës së tij pas përfundimit të testeve parasezonale në Bahrein.

Në ditën e fundit të testeve, piloti i Ferrarit, Charles Leclerc, ishte më shumë se tetë të dhjetat e sekondës më i shpejtë se kampioni aktual i McLaren-it, Lando Norris.

Megjithatë, Stella mendon se diferenca nuk është e paarritshme.

Ai theksoi se pasqyra reale e performancës mund të shihet përmes simulimeve të garës, por nënvizoi se koha e ditës dhe kushtet e pistës mund të ndikojnë ndjeshëm në rezultate. Sipas tij, Norris pati një ritëm shumë të mirë në simulim, por orët e fundit të testimeve sollën edhe kohët më të shpejta të të gjashtë ditëve, gjë që e bën krahasimin më të vështirë.

Stella beson se McLaren dhe Red Bull Racing janë aktualisht shumë të barabartë, ndërsa një avantazh të lehtë ia jep Ferrarit dhe Mercedesit.

“Lando në ditën e fundit arriti rezultate mjaft të mira në simulimin e garës, por ndoshta fundi i ditës së tretë ishte koha më e shpejtë në pistë gjatë të gjashtë ditëve. Është e vështirë të thuhet. Mendoj se McLaren dhe Red Bull janë shumë të ngjashëm. Ferrari dhe Mercedes janë një hap përpara”, tha Stella.

Sezoni i ri i Formula 1 nis më 8 mars me Çmimin e Madh të Australisë në pistën Albert Park Circuit.

Stella pret kërkesa të ndryshme në Melburn, veçanërisht sa i përket menaxhimit të energjisë dhe efikasitetit të njësisë së fuqisë gjatë segmenteve më të gjata.

 

TË FUNDIT