Drejtori i skuadrës së McLarenit, Andrea Stella, u kërkoi falje pilotëve, Lando Norrisit dhe Oscar Piastrit, të cilët u skualifikuan pas garës së Çmimit të Madh të Las Vegasit në kampionatin e Formula 1.
Delegatët teknikë konstatuan pas garës se të dy makinat e McLarenit kishin pllaka mbrojtëse më të holla se nëntë milimetra, minimumi i kërkuar nga rregullorja. Si pasojë, Norris humbi vendin e dytë në Las Vegas, ndërsa Piastri vendin e katërt.
“U kërkojmë falje Lando-s dhe Oscar-it për humbjen e pikëve, në një moment kritik të garës së tyre për titull, pas dy paraqitjeve të mira gjatë fundjavës. Si skuadër, u kërkojmë falje edhe partnerëve dhe tifozëve tanë, mbështetja e të cilëve ka shumë rëndësi për ne. Edhe pse ky rezultat është jashtëzakonisht zhgënjyes, ne mbetemi plotësisht të fokusuar në dy garat e fundit të sezonit”, tha Stella në deklaratën e McLarenit.
Ai shtoi se të dy makinat pësuan një nivel të papritur dridhjesh gjatë garës, që nuk ishte vërejtur në prova, dhe kjo solli kontakt të tepërt me asfaltin dhe dëmtim të pllakës mbrojtëse.
“Po hetojmë arsyet e këtij ndryshimi të makinave, përfshirë edhe efektin e dëmtimit të rastësishëm që të dy makinat pësuan, të cilin e zbuluam pas garës dhe që çoi në lëvizje më të madhe të dyshemesë. Siç vuri re FIA, shkelja ishte e paqëllimshme, nuk pati asnjë përpjekje për të shmangur rregullat dhe kishte rrethana lehtësuese”, shtoi Stella.

Pas skualifikimit, Norris humbi 18 pikë, por mbetet lider në renditjen e përgjithshme me 390. Piastri humbi 12 pikë dhe tani ka 366, po aq sa edhe Max Verstappen, që është në vendin e tretë.
Kanë mbetur edhe dy gara deri në fund të sezonit 2024 të Formula 1: gara e radhës zhvillohet më 30 nëntor në Katar dhe e fundit më 7 dhjetor në Abu Dhabi.
Me dy garat kryesore dhe një sprint të mbetur, pilotët mund të fitojnë deri në 58 pikë deri në fund të kampionatit.



