Piloti i Aprilia-s, Jorge Martin, ka marrë dritën jeshile nga mjekët për t’u rikthyer në pistë për testimet parasezonale në Buriram, prova e fundit para nisjes së sezonit të ri të MotoGP.
Spanjolli iu nënshtrua dy operacioneve gjatë pushimit mes dy sezoneve, pasi u konstatua se dëmtimet e pësuara vitin e kaluar nuk ishin shëruar siç duhet. Për këtë arsye, ai mungoi në testimet e javës së kaluar në Sepang, por ishte i pranishëm për të ndjekur zhvillimin e modelit RS-GP26 dhe prezantimin e sezonit në Kuala Lumpur.
Kampioni i botës në klasën kryesore për vitin 2024 në dhjetor iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale në kockën skafoide të dorës së majtë dhe në klavikulën e djathtë.
Nga Aprilia njoftuan se Martin kreu kontrolle mjekësore në Madrid dhe u vlerësua i gatshëm për t’u rikthyer në pistë, megjithëse do t’i nënshtrohet edhe kontrolleve përfundimtare në Buriram.

Ai vjen pas sezonit më të vështirë të karrierës, të mbushur me dëmtime të shumta. Nga 22 gara në vitin 2025, Martin mori pjesë vetëm në shtatë, ndërsa rezultati i tij më i mirë ishte vendi i katërt në Çmimin e Madh të Hungarisë.
Testimet në Buriram do të zhvillohen më 21 dhe 22 shkurt, ndërsa sezoni i ri nis me Çmimin e Madh të Tajlandës nga 27 shkurti deri më 1 mars.



