Mendy mohon çdo marrëveshje me Diaz për penalltinë
M

Mendy mohon çdo marrëveshje me Diaz për penalltinë

Portieri i Senegalit, Édouard Mendy, ka hedhur poshtë kategorikisht çdo aludim për një marrëveshje mes tij dhe Brahim Diaz në momentin e penalltisë së akorduar për Marokun në minutat e fundit të finales së Kupës së Afrikës.

Pas polemikave të shumta që shpërthyen në rrjetet sociale dhe në disa media, Mendy reagoi ashpër duke i quajtur këto zëra të pabazë dhe jo seriozë, shkruan “Tuttomercatoweb”.

“Të flasësh për një marrëveshje mes meje dhe Diaz në një finale, në minutën e fundit, është absurde. Duhet të jemi seriozë”, deklaroi portieri senegalez.

Mendy theksoi se Brahim Diaz e kishte vetëm një synim: të shënonte, ndërsa ai e bëri thjesht detyrën e tij si portier, duke u përqendruar dhe duke e lexuar sa më mirë goditjen.

“Ai donte të shënonte për ekipin e tij, unë doja ta prisja penalltinë për vendin tim. Nuk ka asgjë më shumë se kaq”, shtoi Mendy.

Penalltia u prit nga Mendy, duke u kthyer në një moment kyç të finales, ndërsa Senegali më pas arriti ta fitonte trofeun, në një ndeshje të tensionuar dhe të shoqëruar me shumë polemika, sidomos për vendimin e referit pas ndërhyrjes së VAR-it.

Me këtë reagim, Mendy ka dashur ta mbyllë përfundimisht çdo diskutim rreth ndershmërisë së episodit, duke e mbrojtur jo vetëm veten, por edhe imazhin e finales dhe të futbollit afrikan.

TË FUNDIT