Mercedes-AMG po mendon kthimin e motorëve V8 pas kritikave për hibridin 2.0
M

Mercedes-AMG po mendon kthimin e motorëve V8 pas kritikave për hibridin 2.0

Pas shumë kritikave dhe nostalgjisë së klientëve të saj besnikë, Mercedes-AMG mund të rikthehet tek motorët legjendarë V8, duke u larguar gradualisht nga teknologjia aktuale me motorë 2.0 litra turbo dhe sistem plug-in hybrid.

Sipas një raportimi të Autocar, prodhuesi gjerman i veturave luksoze po shqyrton seriozisht ndryshimin e kursit, sidomos pas prezantimit të fundit të konceptit të tij të ri sedan elektrik, transmeton AutoPortali.

Modeli më i prekur nga kjo lëvizje do të jetë Mercedes-AMG C63 S E Performance, i cili dikur mbahej si ikonë e performancës me motorët brutalë V8, fillimisht me një 6.2-litërsh, e më pas me një 4.0-litërsh me turbo.

Sipas AutoWeek, ndryshimi i fundit i këtij modeli në një 2.0-litërsh me katër cilindra dhe teknologji hibride nuk është pritur mirë nga adhuruesit e versioneve të mëparshme, të cilët e konsiderojnë mungesën e V8 një humbje të karakterit të vërtetë AMG.

Megjithatë, edhe pse aktualisht C63 S E Performance prodhon një fuqi mbresëlënëse prej 671 kuaj fuqi, kombinimi me sistemin plug-in hybrid ka sjellë një rritje të konsiderueshme në peshë, duke e çuar veturën në rreth 2,185 kilogramë, pothuajse 450 kilogramë më e rëndë se paraardhësi i saj me V8.

Pavarësisht se këto plane mbeten ende në fazën e spekulimeve, burimet nga Mercedes-AMG lënë të kuptohet se platforma e re elektrike e performancës, që kompania pritet të prezantojë së shpejti, mund të hapë hapësirë në gamën e modeleve për prodhime me volum më të ulët, por me motorë V8 për kupetë, sedanët dhe kabrioletët.

Sipas burimeve të Autocar, sistemi aktual me katër cilindra PHEV pritet të dalë gradualisht nga përdorimi, por për këtë ndryshim të madh do të nevojiten disa vite, ndoshta deri në rinovimin e radhës të modelit C-Class./AutoPortali

TË FUNDIT