George Russell me Mercedes e fitoi garën e Çmimit të Madh të Australisë në Formula 1, gara e parë sezonale. Një triumf i merituar i pilotit britanik, që e nisi garën nga “pole”.
Një sukses i dyfishtë për Mercedes, pasi në vendin e dytë u rendit italiani Kimi Antonelli.
Suksesi nuk ishte shumë i lehtë për Russell, që në gjysmën e parë të garës vuajti shumë, sidomos në xhirot e para, kur dueloi “rrotë më rrotë” me Charles Leclerc.
Piloti i “kokëkuqes” shpresoi shumë te fitorja, por e mbylli garën në vendin e tretë, duke u ngjitur në podium.
Ferrari bëri një paraqitje të mirë, duke dueluar në pjesën e parë të garës me Mercedes, çka e konfirmon edhe vendi i katërt për Lewis Hamilton. Të shkëputur nga kjo katërshe pilotët e tjerë, me Lando Norris (McLaren) që u rendit i pesti, ndërsa Max Verstappen (Red Bull) i gjashti.
McLaren dhe Red Bull zhgënjyen dhe ishin shumë pas dy makinave fituese (mbërritën në finish 50 sekonda pas fituesit). Madje Oscar Piastri (McLaren) bëri një aksident që pa nisur gara, kur po çonte makinën në vijën e nisjes. Ndërsa Iscak Hadjar (Red Bull) pati një problem me motorin në pjesën e parë të garës dhe u tërhoq.

Pjesa e parë e garës ishte mjaft interesante, me Leclerc që merr kreun që në start dhe duelon me Russell. Britaniku hyn më herët për të ndërruar gomat, si pasojë e disa situatave me makinën virtuale të sigurisë. Ndërsa te Ferrari ndjekin skenarin e parapërgatitur dhe ndërrojnë gomat në mesin e garës.



