Mercedes ka njoftuar një nismë të re për të dhënë “jetë të dytë” automjeteve të vjetra, përmes riciklimit të materialeve dhe rikthimit të tyre në përdorim.
Projekti, i quajtur “Urban Mining”, zhvillohet në bashkëpunim me kompaninë gjermane TSR Group GmbH & Co. KG dhe synon të krijojë qendra të mbledhjes e trajtimit të makinave të përdorura.
Sipas njoftimit, ky është projekti i parë i këtij lloji, që lejon rikuperimin e lëndëve të para nga automjetet, duke reduktuar mbetjet dhe duke kontribuar në ekonominë qarkore, shkruan Reportmotori, transmeton AutoPortali.
Iniciativa është pjesë e planit të Mercedes për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2039.
TSR ka zhvilluar një metodë inovative që mundëson nxjerrjen e materialeve si plastika, alumini, xhami, bakri dhe çeliku nga makinat e vjetra. Këto komponentë do të riciklohen dhe ri-përdoren, duke u kthyer në burime të vlefshme për prodhimin e ardhshëm.
Mercedes thekson se qëllimi nuk është vetëm modernizimi i motorëve apo teknologjisë, por mbi të gjitha reduktimi i mbetjeve dhe krijimi i një cikli të qëndrueshëm prodhimi. /AutoPortali