Mercedes-Benz ka paralajmëruar programin më të madh të lançimeve në historinë e saj, me 18 modele të reja që do të prezantohen vitin e ardhshëm dhe edhe 14 të tjera në vitin 2027.
Sipas Motor1, shumica do të jenë gjenerata të reja ose versione të përditësuara të modeleve ekzistuese, por pritet edhe prezantimi i disa modeleve krejtësisht të reja. Aktualisht, marka gjermane operon me rreth 40 variante modelesh, megjithatë CEO i kompanisë, Ola Källenius, nuk përjashton zgjerime të tjera.
Duke folur për Auto Express, Källenius u shpreh: “A mund të ketë ende më shumë nicha? Nuk e përjashtoj këtë. Nëse besojmë se ka nevojë në treg, do të veprojmë. [Tek Mercedes] ne hamë, flemë dhe pimë makina.”, transmeton AutoPortali.

Por ai theksoi se kompania nuk do të marrë rreziqe të panevojshme, duke shtuar: “Në fund të fundit, ne drejtojmë një biznes dhe çdo projekt duhet të ketë logjikë financiare.”
Komentet e tij vijnë në një kohë kur Mercedes ka nisur të shkurtojë portofolin, duke hequr nga tregu modelet SLC, CLS dhe AMG GT Cabrio. T-Class dhe Citan janë gjithashtu drejt daljes, ndërsa versionet kupe/kabrio të C-Class dhe E-Class janë bashkuar në linjën CLE. Edhe B-Class pritet të dalë nga prodhimi vitin e ardhshëm.
Fillimisht, Mercedes planifikonte të ndalonte prodhimin e A-Class deri më 2026, por modeli mbetet në treg për shkak të kërkesës së lartë në Europë. Sedani kompakt dhe versioni hatchback do të vazhdojnë të shiten paralelisht me CLA-në e re, që do të ofrohet si në variant me benzinë, ashtu edhe elektrik.

Raportimet për një shkurtim të mëtejshëm të gamës, si heqja e GLC Coupe apo GLE Coupe, apo edhe eliminimi i karrocerive “wagon” deri në fund të dekadës, duket se janë zbehur, pasi edhe CLA e re është sjellë në treg për herë të tretë në version karavan.
Mercedes po përgatitet gjithashtu të unifikojë modelet elektrike EQ me ato me motorë me djegie të brendshme. EQS, të cilën kreu i dizajnit Gorden Wagener e quajti “një makinë që doli 10 vite më herët se duhej”, do të ndalet pas një gjenerate të vetme, duke i hapur rrugë një S-Class-i të ri që do të ofrohet si në version ICE, ashtu edhe EV.
Ndërkohë, konfirmohen shtesa të reja në gamë si versionet elektrike të C-Class dhe GLC, një sedan dhe një SUV elektrik AMG, si dhe një version i vogëluar i G-Class, i njohur si “Little G”, që do të ofrohet si në version me benzinë ashtu edhe elektrik.
Mercedes ka bërë gjithashtu një “korrigjim kursi” për të zgjatur jetën e motorëve me djegie të brendshme deri në vitet 2030 e më tej, për shkak të adoptimit më të ngadaltë të makinave elektrike.
“Motorët e elektrifikuar me teknologji të lartë do të jetojnë më gjatë se ç’prisnim. Aktualisht, qasja më racionale është që një prodhues i konsoliduar të ndjekë të dyja teknologjitë dhe të mos neglizhojë asnjërën,” tha Källenius. /AutoPortali



