Federata e Futbollit të Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin e Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin “Ylli i Javës” për javën e dytë të kampionatit. Këtë herë, vlerësimi i takoi futbollistit të KF Dukagjinit, Mërgim Pefqeli.
Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Vllaznim Visoka, Xhavit Mehmeti dhe Enver Prapashtica, e vlerësoi Pefqelin si më të mirin për paraqitjen e tij në fitoren 2:0 ndaj SC Gjilanit, ku kontribuoi me një gol dhe një paraqitje dominuese, shkruan AutoPortali.
Pas pranimit të çmimit, Pefqeli falënderoi klubin dhe stafin për përgatitjen taktike dhe ndihmën që i dhanë për të realizuar golin. Ai veçoi edhe transferimet e reja që, sipas tij, kanë forcuar skuadrën për një sezon të gjatë dhe sfidues.
“Në mënyrë të veçantë, këtë gol dhe këtë çmim ia dedikoj babait tim të ndjerë, i cili kishte ditëlindjen,” – u shpreh Pefqeli për faqen zyrtare të FFK-së.


 
                                    

