Shqipëria po tërheq vëmendjen e turistëve dhe ekspertëve të udhëtimeve si një destinacion unik me plazhet e saj mahnitëse, malet e mrekullueshme dhe qytetet historike, shkruan Lauren Haughey në gazetën britanike “Mirror”.
Një eksperte e njohur e udhëtimeve, Jordynn, e cila ndan aventurat e saj në TikTok, ka rekomanduar Shqipërinë si një vend të veçantë dhe të bukur, që ofron eksperienca të larmishme për turistët, përfshirë ata me buxhete të kufizuara, falë çmimeve të përballueshme për ushqim dhe akomodim, transmeton AutoPortali.
“Kjo nuk është Filipinet, as Zvicra, Greqia, Italia apo Tajlanda. Kjo është Shqipëria,” thotë ajo në një postim në TikTok.
Ekspertja thekson se Shqipëria është një perlë e fshehur mes Greqisë dhe Malit të Zi, me male të larta, det të kristaltë, plazhe të bukura dhe qytete historike me kalldrëm dhe vende të njohura nga UNESCO-ja.
Mes vendeve që rekomandohen për t’u vizituar janë Shkodra, Valbona, Thethi, Tirana, Berati, Gjirokastra, Saranda dhe Himara, secili me bukuritë dhe kulturën e tij unike.
Jordynn, e cila qëndroi vetëm një javë në Shqipëri, thotë se mund të kishte zgjedhur të qëndronte edhe një muaj të tërë për të eksploruar gjithçka që vendi ofron.
Në kryeqytetin Tiranë, vizitorët mund të shijojnë muze të pasura, ndërtesa historike dhe një jetë të gjallë nate, ndërsa Saranda ofron plazhe të mrekullueshme dhe ushqim të freskët deti, përcjell TV Klan.
Gjirokastra, një qytet i njohur si vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO, është gjithashtu një destinacion që nuk duhet humbur, vetëm rreth një orë larg Sarandës.
Në kuzhinën tradicionale shqiptare, byreku dhe bakllavaja janë ndër gatimet më të njohura dhe të shijshme, të cilat vizitorët nuk duhet t’i humbasin.



