Mitsubishi Motors ka njoftuar se do të rrisë çmimet e veturave të saj në ShBA me mesatarisht 2.1%, duke iu bashkuar prodhuesve të tjerë që po i bartin rritjet e kostove te konsumatorët.
Rritja e kostove ka ardhur si pasojë e tarifave të vendosura nga administrata Trump, e cila në prill vuri një tarifë prej 25% për importet e makinave nga Japonia dhe shumica e vendeve të tjera. Kjo e detyroi Mitsubishi-n të ndërpriste përkohësisht dërgesat drejt SHBA-së, por ato janë rikthyer javën e kaluar.
Sipas Reuters, kompania theksoi se rritja e çmimit është rezultat i një rishikimi të rregullt për t’u përshtatur me tregun. Megjithatë, kjo rritje nuk do të ndikojë në veturat që tashmë ndodhen nëpër sallonet e shitjes.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, shitjet e Mitsubishi në SHBA u rritën me 11%, pas një viti 2024 të suksesshëm me 110.000 njësi të shitura – shifra më e mirë që nga 2019.
Mitsubishi tha gjithashtu se po bën investime të mëdha në makina të reja dhe teknologji të reja, përfshirë një model të ri Outlander 2025, plane për një veturë elektrike me bateri për SHBA-në, si dhe bashkëpunim me Nissan për një model të ri që do të ndërtohet në SHBA.
Ndërkohë, Trump ka paralajmëruar mundësinë e rritjes së mëtejshme të tarifave për makinat. Kompanitë si Subaru dhe Ford kanë nisur gjithashtu rritje çmimesh në përgjigje të situatës. /AutoPortali/



